Gjërat e çuditshme që mund të bëjnë pemët
Një studim i Universitetit të Torontos Scarborough, ka konfirmuar kohët e fundit se pemët kanë një kujtesë të lidhur në rrënjët e tyre. Me fjalë të tjera, nëse një pemë ka “lindur” dhe është rritur në një vend të përcaktuar, mund të reagojë në një mënyrë të vendosur ndaj agjentëve të jashtëm, në bazë të “përvojave personale”.
Mund të krijojnë plehun e tyre
Natyra është vërtet fenomenale. Prerja e një peme, ndryshe nga ç’mendohet, nuk është e mjaftueshme për ta vrarë atë: pjesa e mbetur e trungut, thith azotin në ajër dhe e shpërndan në zonën përreth. Pra jo të gjitha bimët janë në gjendje që ta bëjnë këtë.
Mund të “vetëvriten” prej punës së tepërt
Me sa duket pemët dhe njerëzit nuk janë edhe aq të ndryshëm mes tyre. Kohë më parë, disa turistë zbuluan një pemë gjigante në Madagaskar, rreth 18 metra të lartë dhe me një diametër pesë herë më të madh se kaq. Duke qenë kaq e madhe, sigurisht asaj i duhej edhe një punë e madhe vetjake për t’u mbajtur. Për këtë fakt edhe “vdiq”, u tha.
“Punësojnë truproja” për t’u mbrojtur nga grabitqarët
Edhe pemët dinë të mbrohen. Duket se ato punësojnë “truproja” për ta realizuar këtë gjë. Përgjithësisht ato mbulohen me parazitë, të cilët i mbajnë larg grabitqarët. Ndërkohë që vetë parazitët i “paguajnë” duke i furnizuar me ushqyes esencialë për jetën e tyre.
Janë krijesat më jetëgjata të planetit
Nëse gjenden në një ambient me kushte të favorshme, pemët mund të jetojnë vërtet shumë gjatë. Për shembull, në Zvicër ekziston një pemë shumë antike, që hamendësohet se ekziston që nga epoka e akullnajave. Ndërsa në Sicili gjendet pema e gështenjës më antike e botës. Ajo është plot 4000-vjeçare. Por aspekti i trishtë në këtë drejtim është fakti se në qytet ato jetojnë mesatarisht vetëm 13 vjet.
Marrin zjarr
Disa pemë, si për shembull eukaliptet, kanë një aftësi vërtet të veçantë: marrin flakë. Ato mund të marrin flakë papritmas, duke krijuar një zjarr të madh dhe vdekjeprurës. Por nuk mbaron këtu. Pas zjarrit të eukalipteve të mëdha, lindin filiza të rinj të tyre, të cilët rriten pa asnjë problem.
Shpërthejnë
Gjithashtu pemët edhe mund të shpërthejnë. Disa prej tyre janë një armë e vërtetë vdekjeprurëse. Si për shembull Hura Crepitans, e njohur ndryshe edhe si “pema dinamit”. Veçantia e saj është se mund të jetë totalisht helmuese dhe e mbuluar me gjemba të mëdhenj. Kur “shpërthen”, ajo mund t’i dërgojë farat e saj deri në 40 metra larg.
Komunikojnë dhe flasin mes tyre
Pemët komunikojnë përmes rrënjëve, falë një “kërpudhe simbiotike” të veçantë. Me anë të këtij sistemi, pemët mund të shkëmbejnë ushqyes në bazë të nevojave të tyre për ushqim.