GJERMANI – AfD-ja shënon fitore historike, zgjedh për herë të parë kryetarin e një parlamenti rajonal
MAGDEBURG, 6 tetor /ATSH-DPA/- Deputeti i Alternativës për Gjermaninë (AfD), Tobias Rausch u zgjodh sot kryetar i parlamentit të landit lindor Saksonia-Anhalt, duke shënuar një moment historik për partinë e së djathtës ekstreme.
Kandidati i AfD-së, Rausch mori shumicën e votave në parlamentin e sapoformuar në Magdeburg, një muaj pasi partia fitoi bindshëm zgjedhjet në këtë land.
Me këtë zgjedhje, Rausch bëhet zyrtari më i lartë i zgjedhur ndonjëherë nga AfD-ja, gjatë 13 viteve të ekzistencës së partisë.
Rezultati është një sukses i rëndësishëm edhe për Ulrich Siegmund, kandidatin kryesor të AfD-së në Saksonia-Anhalt, i cili synon të bëhet kryeministri i parë i një landi gjerman nga radhët e AfD-së.
Bashkëdrejtuesja kombëtare e AfD-së, Alice Weidel e cilësoi zgjedhjen një “sukses të madh” në një postim në rrjetin X dhe përgëzoi Rausch.
Në zgjedhjet e shtatorit, AfD-ja mori gati 44% të votave, por nuk arriti shumicën absolute në parlamentin e Saksonia-Anhaltit, i cili ka 83 vende. AfD-ja fitoi 39 vende.
Katër parti që kanë deklaruar zyrtarisht se nuk do të bashkëpunojnë me AfD-në – CDU-ja konservatore e kancelarit Friedrich Merz, e Majta, të Gjelbrit dhe Socialdemokratët – kanë gjithashtu së bashku 39 vende.
Ndërkohë, partia e vogël BSW, e cila ka qëndrime pro Rusisë, fitoi pesë vende dhe u bë një forcë vendimtare në parlament. Kjo do të thotë se votat e saj mund të përcaktojnë se kush arrin shumicën.
BSW kundërshton të ashtuquajturën “mur mbrojtës” politik, parimin e partive të tjera për të mos bashkëpunuar me AfD-në.
BSW premtoi se do të mbështeste zgjedhjen e Rausch si kryetar parlamenti. Megjithatë, ende nuk dihet nëse deputetët e BSW-së do të mbështesin edhe Siegmund për postin e kryeministrit të landit.
AfD-ja dhe BSW kanë së bashku 44 vende, ndërsa për shumicën duhen 42.
Megjithatë, Rausch mori 48 vota. Kjo tregon se të paktën katër deputetë nga parti të tjera votuan në favor të tij. Pesë deputetë të tjerë abstenuan.
Nëse Siegmund arrin një rezultat të ngjashëm kur të kandidojë për kryeministër në dhjetor, AfD-ja mund të krijojë për herë të parë, një qeveri rajonale në një land gjerman.
Para votimit historik, qindra persona protestuan jashtë parlamentit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.