GJERMANI – Industria humb afro 500 mijë vende pune që nga viti 2019
BERLIN, 19 tetor /ATSH-DPA/- Qindra mijëra vende pune janë humbur në industrinë gjermane që nga viti 2019, sipas një studimi të Institutit “Ifo”, një qendër kërkimore që analizon ekonominë.
Në fund të vitit 2025, ndërmarrjet industriale gjermane kishin rreth 496 mijë punonjës më pak se në fillim të vitit 2019. Kjo përfaqëson një rënie prej 7,1%.
Më e goditura ka qenë industria automobilistike, e cila prej kohësh konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë më të madhe të Evropës.
Prodhuesit e makinave dhe kompanitë që u furnizojnë atyre pjesë, kanë shkurtuar gjithsej 123 500 vende pune, një rënie prej 13%.
Humbje të mëdha të vendeve të punës janë regjistruar edhe në industrinë e përpunimit të metaleve, ku numri i punonjësve ka rënë me 115 600.
Ndërsa në sektorin e prodhimit të makinerive janë shkurtuar 64 500 vende pune, sipas Institutit “Ifo”.
Në të kundërt, sektori i shërbimeve ka krijuar më shumë se 2,2 milionë vende të reja pune që nga viti 2019.
Pjesa më e madhe e tyre janë në shëndetësi, shërbimet sociale dhe administratën publike.
Sipas Institutit “Ifo”, në sektorin e shëndetësisë janë krijuar 391 000 vende të reja pune, ndërsa në shërbimet sociale janë shtuar edhe 357 000 vende të tjera, përfshirë punësimin në qendrat e kujdesit për të moshuarit.
Këto shifra pasqyrojnë edhe plakjen e popullsisë në Gjermani, ku po rritet nevoja për shërbime shëndetësore dhe përkujdesje.
Joachim Ragnitz, drejtor ekzekutiv i degës së Institutit “Ifo” në Dresden, tha se këto zhvillime tregojnë se në Gjermani, po ndodh një ndryshim gjithnjë e më i shpejtë i strukturës së ekonomisë, me kalimin e vendeve të punës nga disa sektorë te të tjerë.
“Paradoksalisht, pikërisht sektorët që deri tani kanë mbështetur mirëqenien tonë po tkurren”, tha ai.
“Vendet e reja të punës, në pjesën më të madhe, nuk po krijohen në sektorët ku Gjermania është kryesisht produktive dhe novatore. Kjo mund të ngadalësojë potencialin e rritjes ekonomike në të ardhmen”, shtoi Ragnitz. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.