Gjermani me përvojë në Kosovë në krye të NATO-s: Gjenerali Carsten Breuer zgjidhet kryesues i Komitetit Ushtarak
Gjenerali gjerman Carsten Breuer do të marrë funksionin e kryesuesit të Komitetit Ushtarak të NATO-s — trupit më të lartë ushtarak të Aleancës — pasi shumica e shefave të mbrojtjes së vendeve anëtare mbështetën kandidaturën e tij në votim të fshehtë të shtunën në Kopenhagen. Breuer mori mbështetjen e të paktën 17 nga 32 shefat e mbrojtjes së vendeve të NATO-s, raporton Politico.
Kryesuesi aktual, admirali italian Giuseppe Cavo Dragone, e njoftoi vendimin në platformën X: “Përgëzoj gjeneralin Carsten Breuer… Aftësia juaj e gjykimit operativ, njohja e thellë e kësaj Aleance dhe udhëheqja juaj e ushtrisë gjermane do t’i shërbejnë shumë NATO-s”. Breuer do të marrë detyrën në korrik të vitit të ardhshëm dhe do të ketë mandat trevjeçar.
Breuer, 61 vjeç, e mposhti shefen e ushtrisë kanadeze Jenny Carignan. Ai konsiderohej favorit duke pasur parasysh statusin e Berlinit si konsumatori më i madh evropian i mbrojtjes, si dhe mbështetjen e heshtur të Uashingtonit. Gjenerali me katër yje ka shërbyer më herët si komandant i kontingjentit gjerman në kuadër të Brigadës Multinacionale Jugperëndim, pjesë e kontingjentit të tetë të KFOR-it në Prizren, Kosovë.
Rezultati i votimit thekson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Berlinit në Aleancë, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump kërkon që vendet evropiane të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e kontinentit. Nën drejtimin e tij, Gjermania synon të dyfishojë shpenzimet ushtarake në mbi 200 miliardë euro deri në vitin 2030.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.