Çerçiz Topulli atdhetari dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare
Më 20 shtator 1880, lindi në Gjirokastër atdhetari dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli.
Mjedisi familjar ku u rrit, sidomos modeli i vëllait të tij më të madh, Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar.
Në vitin 1907, Çerçizi mori drejtimin e çetës së armatosur, që vepronte në Shqipërinë e Jugut, duke u bërë një nga figurat e spikatura të kësaj lëvizjeje luftëtarësh. Ai u përfshi në organizimin e rezistencës me armë kundër pushtuesit dhe në përhapjen e ideve të lëvizjes kombëtare midis shqiptarëve.
Në këtë periudhë, një ngjarje e rëndësishme ishte beteja e Mashkullorës më 18 mars 1908, e cila e bëri emrin e tij të njohur në mbarë vendin.
Fitorja e Revolucionit Xhonturk të vitit 1908 e gjeti Çerçiz Topullin të angazhuar në formimin e klubeve kombëtare shqiptare dhe në përpjekjet për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit.
Me Shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ai u vu në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u angazhua në mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.
Rruga e jetës së tij u ndërpre në korrik 1915, kur u vra pabesisht nga forcat malazeze në Fushën e Shtoit, në Shkodër. Në vitin 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër, ku u rivarrosën me nderime.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.