GJERMANI – Vetëm 18 muaj për të shmangur humbjen e garës me SHBA-në dhe Kinën në inteligjencën artificiale
BERLIN, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjermania ka edhe 12 deri në 18 muaj kohë për të mos mbetur prapa SHBA-së dhe Kinës, në garën për zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA), paralajmëroi grupi i ekspertëve të ngritur nga qeveria gjermane.
Sipas ekspertëve, megjithëse Gjermania ka një pozicion të mirë në fushën e kërkimit shkencor, ajo rrezikon të mbetet gjithnjë e më shumë prapa dy fuqive kryesore në këtë teknologji, SHBA-së dhe Kinës.
“Koha për të kapur ritmin e SHBA-së dhe Kinës në zhvillimin e IA-së po mbaron”, thuhet në raportin përfundimtar të grupit të ekspertëve, i cili pritet të prezantohet në Samitin Digjital të qeverisë gjermane në Berlin.
Raporti thekson se 12 deri në 18 muajt e ardhshëm, do të jenë vendimtarë për të përcaktuar drejtimin që do të ndjekë vendi në këtë fushë.
Ekspertët kanë propozuar disa objektiva, që Gjermania duhet të arrijë deri në vitin 2030, në mënyrë që të mbetet konkurruese në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Sipas planit, deri në atë vit, të paktën 80% e kompanive të mëdha dhe 55% e bizneseve të vogla dhe të mesme, duhet të përdorin inteligjencën artificiale në veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, numri i kompanive të reja që zhvillojnë teknologji të IA-së duhet të trefishohet.
Një tjetër objektiv është që më shumë se 10% e ekonomisë gjermane, të mbështetet në veprimtarinë e krijuar nga inteligjenca artificiale.
Po ashtu, deri në vitin 2030, 90% e institucioneve të qeverisë federale, duhet të përdorin të paktën një program të inteligjencës artificiale për kryerjen e detyrave të tyre kryesore.
Raporti propozon gjithashtu zhvillimin e alternativave ndaj modeleve shumë të mëdha të inteligjencës artificiale, në bashkëpunim me vende si Franca dhe Kanadaja.
Grupi i ekspertëve u krijua nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i qeverisë gjermane.
Synimi është që deri në vitin 2030, Gjermania të bashkojë ekspertët, investimet, kërkimin shkencor, fuqinë kompjuterike dhe nismat e biznesit, në mënyrë që idetë e reja teknologjike të kthehen sa më shpejt në zhvillim ekonomik, mirëqenie, siguri dhe përparim shoqëror. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.