“Gjermania do t’i japë fund plotësisht varësisë së saj nga nafta dhe gazi rus”
Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se vendi i saj do t’i japë fund plotësisht varësisë së saj nga nafta dhe gazi rus, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për energjinë të organizuar në Berlin, Baerbock kritikoi presidentin rus, Vladimir Putin, duke theksuar se lufta e tij kundër Ukrainës ka ndryshuar gjeopolitikën dhe vlerësimet e sigurisë së Gjermanisë.
“Kjo shkaktoi shumë vuajtje për miliona njerëz, por gjithashtu na bëri të qartë se ne duhet të jemi plotësisht të pavarur nga importet ruse të karburantit”, tha Baerbock.
Shefja e diplomacisë gjermane kritikoi qeveritë e mëparshme të vendit të saj për mos ndërmarrjen e masave serioze për të reduktuar varësinë e vendit nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus.
Ajo tha se aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 çoi në diskutime në Evropë për ndryshimin e importeve të energjisë, por sipas saj, qeveritë nuk ndërmorën ndonjë hap të madh.
“Dhe, tani ne i shohim pasojat e kësaj në një mënyrë shumë tragjike”, u shpreh Baerbock.
Rusia furnizon 55 për qind të gazit natyror, 35 për qind të naftës dhe 45 për qind të qymyrit të Gjermanisë.
Javën e kaluar, qeveria gjermane njoftoi një plan ambicioz për të reduktuar ndjeshëm varësinë e saj energjetike tashmë një kohë të gjatë nga Rusia.