Gjermania, eksportuesi që shkakton probleme
A po i vjen fundi i dekadës së artë të Gjermanisë? Biznesi gjerman është i paqëndrueshëm si pasojë e tensioneve gjeopolitike
Në pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, Gjermania ka qenë një rast përjashtimi i dobësisë ekonomike që përfshiu pjesën tjetër të Europës, shkruan The Economist. Mbështetur në disa prej të dhënave të kohëve të fundit, edhe gjermanët e fuqishëm mund të rezultojnë që të jenë në probleme serioze.
Pas rënies së ekonomisë me 0.2% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, prodhimi industrial u tkurr me 1.9% nga muaji në muaj në nëntor. Këto të dhëna janë më të ulëta se rritja e parashikuar prej 0.3%, duke rritur frikën në vend se mos Gjermania është në prag të një recesioni teknik.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave të Gjermanisë, PBB-ja u rrit me vetëm 1.5% në vitin 2018, krahasuar me 2.2% në vitin 2017 duke deklaruar se rritja ekonomike e “ka humbur vrullin”. Besimi i biznesit po bie gjithnjë e më shumë. Së fundmi, FMN-ja rishikoi parashikimin për rritjen e Gjermanisë në vetëm 1.3% këtë vit, me një rënie prej 0.6 pikësh nga parashikimi i bërë në tetor, njëkohësisht edhe një prej rënieve më të larta të ekonomive të mëdha.
Fondi theksoi kërkesën e dobët të konsumatorëve brenda dhe jashtë vendit dhe vendosjen e standardeve më strikte në lidhje me emetimin e karburantit për prodhuesit e makinave, të cilët e kanë ngadalësuar përkohësisht prodhimin.
Dobësia e gjigantit ekonomik të Europës ka krijuar shqetësime të shumta edhe jashtë Gjermanisë. Por ekonomistët dhe sipërmarrësit brenda vendit po reagojnë në mënyrë stoike.
“Por themelet kryesore të këtij shteti janë ende të forta”, u shpreh Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg, banka më e vjetër private e Gjermanisë. Gjermania ka punëtorë të kualifikuar, inxhinierë të nivelit të lartë, pothuajse nuk ka fare papunësi, ka rritje të nivelit të pagave dhe një politikë të qëndrueshme.
Alain Durre nga Goldman Sachs këmbëngul se “shqetësimet në lidhje me një recesion të mundshëm janë të tepruara”, sepse shumë nga ecuria e dobët ekonomike në tremujorin e tretë të vitit të kaluar mund të shpjegohet me ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhën në atë periudhë. Rënia e lartë e nivelit të ujit të lumit Rin që kalon në qendrën industriale të Gjermanisë, ishte shkaktari kryesor që ndali lundrimin e anijeve të mëdha, duke i lënë një numër fabrikash pa lëndët e para si edhe duke ngadalësuar shpërndarjen e mallrave.
Werner Utz, CEO-ja i Uzin Utz, një prej kompanive që merret me prodhimin e materialeve të dyshemeve në Ulm të Gjermanisë, thotë se është ende optimist për situatën.
Porositë në kompaninë e tij familjare, që eksporton 60% të xhiros së saj, kryesisht në vendet e tjera europiane, janë në nivelin më të lartë si për këtë vit edhe për vitin e ardhshëm. Karl Haeusgen, drejtori i Hawe Hydraulik, një prej kompanive që merret me prodhimin e pompave hidraulike, që eksporton 70% të xhiros së saj, është optimist për vitin e ardhshëm, edhe pse disa prej tregjeve kryesore në të cilat kompania eksporton janë Kina dhe Amerika. Si një prej furnizuesve kryesorë të firmave të ndërtimit, kompania Hawe po përfiton shumë nga nisma e Kinës “Një Rrip, Një Rrugë”.
Eksportet janë pothuajse ekuivalente me gati gjysmën e prodhimit ekonomik të Gjermanisë, që do të thotë se vendi është më i varur nga tregtia në krahasim me ekonomitë e mëdha të shteteve të tjera. Në Francë dhe Itali, eksportet janë ekuivalente me 31% të PBB-së.
Sipas Ralph Wiechers nga VDMA, organi tregtar që përfaqëson prodhuesit e makinave, tregu është shumë i paqëndrueshëm kryesisht si pasojë e shqetësimeve për një luftë tregtare të mundshme ndërmjet Amerikës (tregut kryesor të eksporteve gjermane) dhe Kinës (tregut të tretë më të madh të eksporteve gjermane).
Ata i druhen një prej çështjeve më të diskutuara të momentit, Brexit (Britania është tregu i katërt më i madh i eksporteve gjermane), situatës jo të qetë në Francë (tregu i dytë më i madh i eksporteve gjermane) dhe qeverisë populiste në Itali (tregu i gjashtë më i madh i eksporteve gjermane).
Sipas bankës amerikane, Merrill Lynch, ngadalësimi i ekonomisë kineze vitin e kaluar (njëkohësisht edhe niveli i saj më i dobët në më shumë se një dekadë) u reflektua në një rënie të importeve kineze nga Gjermania me 9% nga muaji në muaj dhe me rreth 24% në dhjetor.
Si rezultat i rënies, kompania Fr. Meyer’s Sohn shprehet se nuk pret asnjë rritje të biznesit të saj gjatë këtij viti dhe madje po merr në konsideratë që ta shesë biznesin e saj britanik.
Kompanitë e vogla dhe të mesme të Gjermanisë, Mittelstand, janë shtylla kurrizore e ekonomisë së saj. Të dhënat e fundit, e bëjnë të qartë faktin se niveli i tyre rritet dhe ngadalësohet sipas gjendjes së ekonomisë globale.