Gjermania jep 3.5 mln euro për mbrojtjen e biodiversitetit të Prespës- Koka: Projekti zhvillon zonën
U nënshkruar sot në Tiranë marrëveshja me qeverinë gjermane për mbrojtjen e biodiversitetit të rajonit të liqeneve të Prespës. Marrëveshja u nenshkrua nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ambasadori gjermani, Helmut Hoffman. Kjo marreveshje konsiston në mbrojtjen e kësaj zone dhe zhvillimin e saj në të dy shtetet, Shqipëri dhe Maqedoni.
Gjatë fjalës së tij, ministri Koka falënderoi qeverinë gjermane dhe ambasadorin Hoffman për kontributin, duke sqaruar se marreveshja me nje vlere prej 3,5 milione euro, do të sjellë një menaxhim më të mirë të pyjeve dhe ujërave.
“Bashkëpunim i frytshëm me qeverinë gjermane në fushën e mjedisit. Vazhdojmë të kemi bashkëpunim intensiv. Përfundoi një projekt, dhuratë e shtetit gjerman që filloi në 2010 dhe sapo përfundoi për një zonë shumë të rëndësishme të territorit shqiptar edhe për faktin se ndodhet në zonë kufitare. Projekti që fillon konsiston në vijimësi të projektit të sapopërfunduar në menaxhim më të mirë të pyjeve. Investimet e kryera kanë ndihmuar në zbutjen e varfërisë në zonë, në sensibilizimin e banorëve dhe për të pasur një administratë sa më kualitative. Falënderoj ambasadorin gjerman për kontributin në Shqipëri e sidomos në çështjet e mjedisit”, deklaroi Koka.
Ndërsa ambasadori Hoffman vlerësoi rëndësinë e projektit që bën të mundur ruajtjen e biodiversitetit në ujrat e Prespës, si dhe vlerat e shumta kulturore që gjenden në të dy brigjet. ”Ky është një fakt që e njeh gjithë bota dhe ne duhet ta mbrojmë dhe zhvillojmë atë”, theksoi ambasadori Hoffman, duke falenderuar ministrin Koka për punën e kryer.