Gjermania kundër Turqisë: Mos kalo vijën e kuqe
“Krahasimi me Gjermaninë naziste është një vijë që nuk duhet shkelur”, paralajmëroi ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu gjatë një takimi që synonte uljen e toneve të përshkallëzuara ndjeshëm ditët e fundit.
Rexhep Tajip Erdoan ishte i pari që e akuzoi Berlinin për praktika naziste pas anulimit të mitingjeve të disa ministrave të tij. Cavusoglu ndoqi shembullin e kryetarit të shtetit turk duke e përsëritur këtë krahasim gjatë ndalesës në Hamburg. Por qetësia gjermane deri këtu shkoi. Angela Merkel i dënoi komentet si të papranueshme dhe Gabriel u bëri jehonë fjalëve të saj.
“Turqit kërkojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë sa i takon respektit, por unë besoj se të dyja palët kanë mbi vete disa përgjegjësi dhe disa vija që nuk duhen shkelur. Krahasimi me nazistët është një prej tyre”, deklaroi kryediplomati gjerman.
Gjatë takimit në Hamburg, Cavusoglu e akuzoi Gjermaninë për veprime “sistematike kundërshtare ndaj Turqisë”.
Në një betejë të hapur mes dy vendeve, ajo që do te humbiste më shumë do të ishte Ankaraja. Turqia është shumë më e varur ekonomikisht nga Gjermania sesa anasjelltas, e në këtë aspekt, Erdoan duket se luan me zjarrin.
Që prej mbylljes së rrugës ballkanike, ka ndryshuar mjaft si situata e emigrantëve, ashtu edhe sfondi i kërcënimeve turke për t’ju hapur sërish refugjatëve kufijtë. Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Turqisë. Aty shiten rreth 10 përqind e të gjitha eksporteve turke në vlerë prej rreth 14 miliardë eurosh, ndersa gjermanët importojnë më së shumti nga turqit tekstile dhe mallra ushqimore për të cilat mund të gjejnë lehtësisht furnizues të tjerë të mëdhenj si Kina apo Bangladeshi.