Gjermania rrit buxhetin e ndihmës ushtarake për Ukrainën në 2 miliardë euro
“Fondet do të shkojnë kryesisht për Ukrainën”, shkroi në Twitter ministri i Financave Christian Lindner.
Qeveria gjermane nisi “Iniciativën e Kapaciteteve” në vitin 2016 për të mbështetur partnerët e saj globalë me fokus sigurinë. Në të kaluarën, fondet janë përdorur për të mbështetur ushtrinë, por edhe policinë dhe agjencitë e kontrollit të fatkeqësive.
Madhësia e fondit tani do të rritet në mënyrë drastike për shkak të luftës ruse në Ukrainë, pas vendimit të qeverisë gjermane për të thyer doktrinën e saj ushtarake për të mbështetur Ukrainën përmes dërgesave të armëve.
Duke pasur parasysh ofensivën e pritshme ruse në shkallë të gjerë në lindje të vendit, Ukraina i ka bërë thirrje sërish Berlinit që të përshpejtojë dërgimin e armatimeve të rënda.