Ekonomia

Gjiknuri në Elbasan: Pajisja e abonentëve me matësa, investim i rëndësishëm

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur proçesin e plotësimit me matësa të të gjithë abonentëve në rajonin e Elbasanit ku përfshihet edhe Librazhdi, Gramshi e Cërriku.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së, Adrian Çela ndoqën sot nga afër punën e strukturave lokale në terren.  OSHEE ka investuar gjatë vitit 2015 mbi 99 milionë lekë në këtë rajon ndërsa planifikon që brenda këtij viti të kryejë edhe 444 milion lekë investime të tjera që shtrihen nga qyteti Elbasan, zonat periferike, Librazhd, Gramsh e Cërrik.

Ministri Gjiknuri tha se duke nisur nga leximi i muajit të parë prej datës së vendosjes së sahatit, çdo konsumatori do t’i faturohet energjia që konsumon duke mos patur me faturimin aforfe.

“Është një investim shumë i rëndësishëm dhe angazhim që po mbahet. Me rëndësi është të kuptohet nga çdo qytetar se dëmtimi dhe dhunimi i sistemit të matjes nuk do të tolerohet”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, angazhimi i radhës pas heqjes së faturave aforfe do të jetë transformimi i Zyrave të Kujdesit ndaj Klientit. “Operatori i Shpërndarjes po punon tanimë për kthimin e zyrave të Kujdesit ndaj Klientit në ambiente të denja për pritjen e qytetarëve. Natyrisht përmirësimi i shërbimit ndaj abonentëve është një përpjekje e vazhdueshme e kompanisë”,  theksoi Gjiknuri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së, Adrian Çela deklaroi se vetëm për vitin 2015 në rajonin e Elbasanit janë kryer mbi 99 milionë lekë investime në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes.

Duke u ndalur tek vendosja e matësave, Çela sqaroi se “faturimi nuk është leximi që nis në muajin qershor, por leximi që nis nga muaji korrik kur nuk do të ketë qytetar me fatura aforfe. Dua t’i bëj dhe një thirrje, jo për qytetarët e Elbasanit sepse se kemi hasur këtë problem, po nëpërmjet jush të gjithë atyre që pengojnë punonjësit tanë në montimin e matësave, të heqin dorë nga ky qëndrim. Pas datës 1 korrik, kush nuk ka matës nuk do të marrë furnizim me energji elektrike, do të trajtohen njësoj si debitorët”, shtoi ai.

Për rajonin e Elbasanit, OSHEE regjistron mbi 200 për qind të arkëtimeve në 3 vitet e fundit dhe niveli i humbjeve ka zbritur nga 47% që ishte para 2 vitesh në nivelin e 20-25 %.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button