Gjiknuri pret Drejtorin e BB: Me rëndësi të konsolidohet disiplina financiare në sektorin energjetik
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti në takim Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv pranë Bankës Botërore në Washington. Pagano shoqërohej në këtë takim edhe nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë zonja Tahseen Sayed.
Gjiknuri njohu drejtuesit e Bankës Botërore me hapat dhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të reformës në sektorin e energjisë elektrike. Ai deklaroi se janë kryer një sërë veprimesh që çojnë në rritjen e likuiditetit në sektor, përmirësimin e aspektit financiar dhe nxjerrjen e tij sa më shpejt nga kriza.
Drejtuesit e Bankës Botërore deklaruan se sfida e qeverisë shqiptare në sektorin energjetik është e rëndësishme dhe deri më tani po ecet në rrugën e duhur.
Ministri nënvizoi se reformat në energji kërkojnë kohën e tyre për tu ndërmarrë dhe për të patur rezultate të konsoliduara ndërsa qeveria shqiptare është e angazhuar seriozisht në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, Pagano i konsideroi mjaft të rëndësishme masat e marra nga qeveria në drejtim të stabilitetit financiar të sektorit, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.
Gjiknuri u shpreh se qeveria e ka një plan të gjerë tanimë për të adresuar të gjitha sfidat e sektorit me seriozitetin maksimal. Ai falënderoi edhe Bankën Botërore për mbështetjen që po i jep qeverisë në drejtim të kryerjes së këtyre reformave.
“Shoh se ka një interes në rritje për investime në të gjithë portofolin e energjisë në Shqipëri por është me shumë rëndësi që sektorit së pari ti konsolidohet disiplina financiare”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se përmes projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike por edhe me fondet e vet kompanive KESH, OST dhe OSHEE do të mund të kryhen investime konkrete në terren të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.