Politika
“Gjithçka për drejtësinë”, Gjonaj mbledh në Tiranë ministrat e Drejtësisë së Ballkanit
October 4, 2019
0 2 minutes read
Për të dytin vit radhazi, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka mbledhur në Tiranë të gjithë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me reformat e ndërmarra mbi forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta rajonale që gjenden përpara.
Teksa i ka uruar mirëseardhjen të gjithë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në këtë ministerial, ajo u shpreh se për të dytin vit radhazi kjo konferencë e nivelit të lartë, është tregues kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.
“Kjo konferencë rajonale e nivelit të lartë, e organizuar me inisiativën dhe mirëkuptimin tonë, pa mbikëqyrjen e zakonshme të institucioneve ndërkombëtare, mbart edhe një tjetër vlerë të rëndësishme. Është një sinjal pozitiv, një tregues mjaft kuptimplotë që dëshmon përgjegjshmërinë dhe aftësinë e qeverive tona, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar urat e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, angazhimin për të bashkëpunuar edhe vetë në nivel rajonal me synimin për të çuar përpara me reformat për forcimin e shtetit të së drejtës edhe në funksion të integrimit evropian”, shprehet Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë vuri theksin edhe te sfidat e rajonit për forcimin e shtetit të së drejtës.
“Vendet tona ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyç e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për tju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë europiane”, nënvizon Gjonaj.
Sa i takon reformës në drejtësi, ministrja solli në fokus interesin që kanë treguar disa nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të ndjekur shembullin e Shqipërisë mbi reformimin e sistemeve të tyre.
“Ndjehem mirë t’ju informoj se reforma në drejtësi në vendin tim ka qenë mbresëlënëse dhe rezultatet e para pozitive justifikojnë plotësisht sfidat e vështira në rrugëtimin e gjatë, thuajse 5-vjecar të inicimit, hartimit dhe zbatimit të saj. Jam e kënaqur tek shoh që shumë vende të tjera në rajon dhe jashtë tij, shohin tek kjo përvojë modelin për t’u replikuar si një përvojë pozitive”, theksoi Gjonaj në fjalën e saj.
“Ministeriali i Drejtësisë”, zhvillohet për të dytin vit radhazi në Tiranë, ku marrin pjesë ministrat e linjës të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke diskutuar mbi arritjet dhe sfidat e reformimit të sistemit të drejtësisë si dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm.