Kronika

Gjoba e Bashkisë ndaj PD, polemika rreth vërtetësisë

Inspektori I Bashkisë: Nuk e kam firmosur unë. Eshtë falsifikuar. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë pretendimin: Ju bë presion nga PD. I ati kryetar i demokratëve të Fushë Krujës. Do e qartësojë gjykata

Gjoba prej mbi 16 milion lekësh (afër 130 mijë dollarë) që Bashkia e Tiranës vendosi ndaj Partisë demokratike, për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së 8 dhjetorit, po shoqërohet me polemika të shumta. Inspektori Besnik Karaj, emri I të cilit rezulton mbi fletë e gjobës bëri sot kallzim në Prokurori duke pretenduar se firma e tij është falsifikuar dhe se ai nuk ka lëshuar asnjë gjobë. Inspektori Karaj ka qenë me shërbim ditën e 8 dhjetorit dhe deklaroi pas daljes nga prokuroria se “blloku i gjobave më është kërkuar nga eprori im. Më pas pashë në rrjetet sociale emrin tim në fletën e gjobës. Kur pyeta eprorin se cfarë ka ndodhur më tha se bllokun e gjobave ja kishte dhënë drejtoreshës së kabinetit të kryetarit të Bashkisë dhe se është bërë vetëm për show mediatik”, u shpreh Karaj

Por në mbrëmje kryebashkiaku Erion Veliaj ka hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se ndaj inspektorit të Bashkisë është bërë presion duke qenë se është djali i kryetarit të Partisë demokratike të Fushë Krujës. “E mirëkuptoj PD-në, që thotë se ky është djali i zyrtarit tonë dhe nuk mund të na bëjë gjëra të tilla. Ai i shkreti qëllloi të kishte turnin atë ditë dhe duhet të shoqëronte me fletën e gjobës, listën e dëmeve. E mirëkuptoj se në këtë vend presionin e hanë shumë njerëz që nuk kanë mbështetje. Fati i tij i zi që qëlloi të ishte në detyrë kur partia e tij shkatërroi qytetin tonë dhe sic e kërkonte detyra duhet të shoqëronte fletën e gjobës”, deklaroi zoti Veliaj, duke shtuar se “i takon gjykatës ta vendosë. Ne kemi të gjithë blloqet e gjobave. Ka mbi dy mijë fletë gjobash me firmën e zotërisë. Por këtë le ta vendosë gjykata. Përsa kohë – shtoi zoti Veliaj – i kam dal vetë zot dhe vetë kam firmosur të gjitha dëmet, nuk kam nevojë të fshihem pas askujt, se i kam vënë emrin tim dhe ja kam drejtuar fletën e dëmeve me firmën time kryetarit të PD-së që ishte institucioni, organizata që kërkoi leje për aktivitetin”.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Partia Demokratike me dëmet e shkaktuara ka thyer kontratën që kishte me Bashkinë kur mori leje për organizimin e manifestimit, dhe se nuk ka përse qytetarët e Tiranës të paguajnë për shkatërrimet e të tjerëve. Zoti Veliaj tha se nuk tërhiqet nga vendimi që ka marrë. “Të paguajnë faturën, kanë 5 ditë para se të fillojë kamata, 28 ditë para se t’u blokohen llogaritë. T’i paguajnë si çeço. Asnjë qindarkë nuk i detyrohen qytetarët e Tiranës, vandalëve të Partisë demokratike”, theksoi kryebashkiaku.

Sipas fletës së gjobës lëshuar nga Bashkia, gjatë protestës janë shkatërruar pemë, tabela sinjalistike, janë dëmtuar puseta, stacione biçikletash, janë shkulur gurë nga trotuarët dhe përmbysur kontenierët e mbledhjes së mbeturinave urbane. Në fletën e gjobës është përllogaritur dhe kostoja e punës së punonjësve të Bashkisë për riparimin e dëmeve, ndërkohë që ajo përmban dhe një gabim në mbledhjen e dëmeve të konstatuara, të cilat rezultojnë të jenë mbi 19 milion lekë  dhe jo 16 milion sa është shkruar në faturë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button