Gjoni në krye të bankës, guvernatori i ri do të zgjidhet nga Nishani
Drejtimi
Mungon zëvendësguvernatori i dytë i BSH-së. Këshillit Mbikëqyrës, përveç Fullanit, i mungojnë edhe dy anëtarë
Nga Zamir Alushi
Elisabeta Gjoni, zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, nga dita e sotme do të vihet në krye të institucionit. Në bazë të ligjit për bankën, nenit 49, në mungesë të guvernatorit ose në pamundësi të tij për të votuar, zëvendësguvernatori i parë duhet të kryesojë mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës. Kur guvernatori mungon, ose është në pamundësi për të vepruar, këto kompetenca i njihen zëvendësguvernatorit të parë të Bankës së Shqipërisë. Madje ligji përcakton që disa kompetenca, me vendim të Këshillit Mbikëqyrës mund t’u kalohen edhe punonjësve të tjerë të bankës. Ndërkaq, Këshilli Mbikëqyrës, si bordi drejtues i Bankës, mbetet në limitet e funksionimit të tij, me 6 anëtarë. Kuvendi duhet të zgjedhë me urgjencë edhe zëvendësuesen e Elivar Golemit, në postin e inspektorit të përgjithshëm. Një ditë më parë, Komisioni i Ekonomisë nisi procedurën e shkarkimit të saj, për mosparaqitjen para deputetëve për të dëshmuar.
Hyn në lojë Nishani
Qeveria ka të drejtë të kërkojë pezullimin nga detyra të guvernatorit dhe Kuvendi brenda 30 ditëve duhet të votojë shkarkimin nga detyra. Qeveria mund ta kishte bërë edhe më parë këtë gjë, por është shprehur se do të lërë prokurorinë të hetojë këtë çështje. Në fakt, ka edhe një problem që e shtyn vendimin e mazhorancës për guvernatorin Fullani. Sipas ligjit, guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Pra, do të mbetej në dorën e Presidentit Nishani seleksionimi i emrit të ri në krye të bankës.
Mungesat në këshill
Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk është i plotë. Mazhoranca që iku dhe ajo që erdhi nuk kanë pasur interes në fuqizimin e këtij këshilli prandaj e kanë lënë të paplotësuar. Kështu, aktualisht këshilli përbëhet nga 7 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, përfshirë guvernatorin Ardian Fullani (i arrestuar), mban edhe postin e kryetarit. Më pas vijnë Elisabeta Gjoni, zëvendëskryetare dhe zëvendësguvernatore e parë, Petraq Milo, Dhori Kule, Ela Golemi, Ermelinda Meksi, Adrian Civici. Mungojnë dy anëtarë. Ndërkaq, prej 9 vjetësh mungon zëvendësguvernatori i dytë. Ky, sipas statutit të bankës, ka kompetenca për kontrollin e disa sektorëve. Fullani mban përgjegjësi direkte për këtë mungesë, sepse zëvendësit e tij propozohen nga ai dhe votohen nga Këshilli Mbikëqyrës. Anëtarët aktualë të këtij këshilli, përjashtuar Ermelinda Meksin, kanë kundërshtuar me votim shkarkimin e Fullanit.