Gjuajti me gurë nga ballkoni dhe hyri me thikë në tarracë, arrestohet shtetasja e huaj në Prishtinë
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, shtetasja e huaj sulmoi një person tjetër dhe dëmtoi pronën, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një shtetase e huaj është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka sulmuar një shtetas të huaj dhe ka dëmtuar pronën, siç njofton KosovaPress duke iu referuar raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas të njëjtit raport, rasti ka ndodhur dje rreth orës 03:00. E dyshuara, nga ballkoni i banesës ku po qëndronte, ka gjuajtur me gurë në drejtim të ballkonit të viktimës, i cili ka pësuar lëndime në këmbë.
Më tej, e dyshuara ka shfaqur sjellje agresive: me një mjet të mprehtë, përkatësisht një thikë, ka thyer xhamin e derës së tarracës dhe ka hyrë brenda, duke paraqitur rrezik për njësinë policore që kishte ndërhyrë në banesë.
Me urdhër të prokurorit, dera e banesës ku ndodhej e dyshuara është hapur me forcë nga njësiti relevant i policisë, ndërsa thika është konfiskuar si provë materiale. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.