Tirana pret konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të vendeve të DECI, Nufi: Shqipëria e angazhuar për sigurinë rajo
Shqipëria mikpriti Konferencën e 14-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Nismës Rajonale për Bashkëpunimin në Mbrojtje (DECI – Defence Cooperation Initiative), e organizuar nën kujdesin e veçantë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak dhe koordinimit rajonal përballë sfidave të reja të sigurisë ndërkombëtare. Duke iu referuar zhvillimeve të sigurisë në Evropë, luftës në Ukrainë, kërcënimeve hibride dhe cenueshmërisë kibernetike, ministri Nufi u shpreh se përballimi i këtyre sfidave kërkon angazhim të përbashkët.
“Siguria nuk mund të trajtohet më vetëm përmes përpjekjeve kombëtare. Qëndrueshmëria jonë kolektive varet nga aftësia për të bashkëpunuar, koordinuar dhe vepruar së bashku. Kjo është pikërisht vlera strategjike e Nismës për Bashkëpunimin në Mbrojtje”, theksoi ministri Nufi.
Nufi nënvizoi se bashkëpunimi mes vendeve anëtare duhet të shkojë përtej dialogut dhe të përkthehet në rezultate konkrete.
“Sot, ambicia jonë duhet të jetë ta çojmë këtë bashkëpunim edhe më tej. Besoj fuqimisht se duhet të shkojmë përtej dialogut dhe ta shndërrojmë mirëkuptimin tonë të përbashkët në rezultate konkrete operacionale: ndërveprueshmëri më të fortë, planifikim të koordinuar, stërvitje të përbashkëta, edukim ushtarak më efektiv dhe forca të afta për të vepruar së bashku në mjedise komplekse dhe sfiduese”, theksoi Ministri Nufi.
Duke u ndalur gjithashtu tek kontributi i Shqipërisë në misionet e drejtuara nga NATO dhe në misionet shumëkombëshe – përfshirë KFOR-in në Kosovë, Ministri Nufi cilësoi se ky fakt është “pasqyrim i bindjes sonë se stabiliteti në rajonin tonë është i pandashëm nga siguria e hapësirës më të gjerë euroatlantike.”
“Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor nuk ndodhet në periferi të sigurisë evropiane. Ai është pjesë përbërëse e saj! Për këtë arsye, ruajtja e stabilitetit, forcimi i besimit rajonal dhe avancimi i integrimit euroatlantik duhet të mbeten përparësi strategjike të përbashkëta”, shtoi ai ndër të tjera.
Nufi u shpreh se DECI duhet të vijojë të plotësojë dhe të përforcojë përpjekjet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, duke krijuar mundësi shtesë për bashkëpunim, pa dubluar strukturat ekzistuese. “Në këtë kuadër, Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar në mënyrë aktive në këtë përpjekje të përbashkët, duke thelluar ndërlidhjen operacionale dhe duke garantuar që Forcat tona të Armatosura të jenë më të përgatitura për sfidat e së nesërmes”, tha Ministri i Mbrojtjes.
E krijuar me nismën e Italisë, DECI është një iniciativë rajonale e krijuar në 2013-të me vende anëtare fillimisht, Shqipërinë, Italinë, Austrinë, Kroacinë, Slloveninë dhe Hungarinë. Më vonë kësaj iniciative i janë bashkuar edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Së fundi edhe Rumania do të jete anëtarja me e re e DECI-t.
Qëllimi i kësaj nisme është promovimi në nivel rajonal dhe midis vendeve evropiane që ndajnë të njëjtat interesa në fushën e mbrojtjes, linja të përbashkëta veprimi dhe projekte bashkëpunimi që synojnë rritjen e stabilitetit në rajon dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve anëtare përmes pjesëmarrjes së përbashkët në operacionet ndërkombëtare, në projekte zhvillimore në fushën tekniko-ushtarake ose aktivitete trajnimi dhe edukimi.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Presidenti dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj; Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Zëvendësshefi i Shtabit të Mbrojtjes së Italisë, Gjenerallejtënant Luigi Del Bene; shefat e shtabit të përgjithshëm të vendeve pjesëmarrëse në këtë nisëm si Austria, Hungaria, Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia; komandantë nga misione dhe institucione ndërkombëtare etj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.