Bota

Gjykata e Apelit, pyetje të vështira avokatit të zotit Trump mbi dokumentet e Mar-a-Lagos

Një trupë prej tre gjyqtarësh dëgjoi argumentet në çështjen e ngritur nga departamenti kundër emërimit të një eksperti të pavarur të posaçëm. Po kështu Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar qasje të menjëhershme tek të gjitha dokumentet e sekuestruara, megjithë kërkesën e avokatëve të zotit Trump për të përjashtuar një pjesë të tyre.

Ky ishte një prej disa problemeve ligjore me të cilat zoti Trump u përball të martën, një javë pasi shpalli vendimin për të kandiduar për herë të tretë për Shtëpinë e Bardhë. Po dje, Gjykata e Lartë i hapi rrugën një komisioni të Kongresit, të udhëhequr nga demokratët, për të shqyrtuar deklaratat e tij tatimore.

Avokati i zotit Trump, James Trusty, u tha gjyqtarëve në Atlanta se statusi i zotit Trump si ish-president, e bën përplasjen mbi dokumentet, një rast të pazakontë, ndaj dhe çëshja duhej të rishikohej nga një ekspert i posaçëm.

Por gjyqtari kryesor, William Pryor, ngriti vazhdimisht pyetjen mbi pasojat e lejimit të një gjykate për të ndërhyrë në një hetim penal, përpara ngritjes së një aktakuzë, duke e parë atë si një preçedent serioz që do të dëmtonte hetime të tjera në të ardhmen.

Zoti Pryor kërkoi gjithashtu të dijë nëse avokatët e zotit Trump kishin ofruar ndonjë provë për ndonjë veprim të paligjshëm nga ana e departamentit, lidhur me mënyrën se si ishin sekuestruar dokumentet.

Nëse nuk mund ta vërtetoni një gjë të tillë, nuk e kuptoj se për çfarë jemi mbledhur?!“, u shpreh zoti Pryor.

Zoti Trusty pranoi se kontrolli i rezidencës së zotit Trump nuk ishte trajtuar ndryshe nga një hetim tipik penal, me përjashtim të faktit se në këtë rast bëhej fjalë për një ish-president.

Avokati i Departamentit të Drejtësisë, Sopan Joshi i tha gjykatës se departamenti nuk kishte ndeshur në ndonjë rast më parë kur një gjyqtar ndalonte një hetim penal në vazhdim, kur nuk kishte prova për një kontroll të paligjshëm nga qeveria.

Në një kontroll të miratuar nga gjykata, agjentët e FBI-së sekuestruan në 8 gusht rreth 11,000 dokumente në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago, mes tyre rreth 100 të shënuara si të klasifikuara, kjo si pjesë e një hetimi penal mbi posedimin dhe mënyrën e trajtimit të dokumenteve qeveritare nga ana e ish-presidentit me përfundimin e mandatit të tij.

Të premten e javës së kaluar Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi prokuror të posaçëm, zotin Jack Smith, për të marrë përsipër këtë hetim, vetëm tre ditë pasi zoti Trump njoftoi se do të kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button