Gjykata Speciale shpall vendim lirues për Isni Kilajn
Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj Isni Kilajt.
Kilaj ishte duke u akuzuar për veprën penale të tentativës për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, e cila figuron në pikën 14 të aktakuzës, raporton Telegrafi.
Po ashtu, ai është shpallur fajtor për veprën penale të mosbindjes ndaj gjykatës, të përfshirë në pikën 15 të aktakuzës, në kuadër të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.
Por, nga periudha e kaluar në para burgim, Kilaj u lirua nga Gjykata Speciale.
Zhvillimet e rastit gjyqësor
Isni Kilaj ishte arrestuar më 3 nëntor 2023 dhe ishte transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Më 4 nëntor 2023, ai ishte paraqitur për herë të parë para Gjykatësit të Vetëm, në cilësinë e të dyshuarit.
Më 3 maj 2024, për shkak të vonesave të konsiderueshme procedurale, Gjykatësi i Vetëm kishte urdhëruar lirimin e tij në Kosovë, nën kushte të rrepta. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Paneli i Gjykatës së Apelit.
Pas konfirmimit të aktakuzës në dhjetor 2024, Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu ishin arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Ndërkaq, Hashim Thaçit i ishte dorëzuar fletarrestimi, ndërsa Hajredin Kuçit fletëthirrja për paraqitjen e parë.
Në paraqitjen e parë para gjykatës, më 8 dhe 9 dhjetor 2024, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Thaçi dhe Smakaj nuk ishin deklaruar lidhur me fajësinë ose pafajësinë në atë seancë.
Më 10 dhjetor 2025, Kilaj ishte liruar me kusht në Kosovë, sipas urdhrit të Gjykatësit të Vetëm. Edhe Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu ishin liruar me kusht më 10 shkurt 2026, shkruan Telegrafi.
Fillimi dhe përfundimi i gjykimit
Gjykimi në këtë çështje kishte filluar më 27 shkurt 2026, me deklaratat hyrëse të Prokurorisë së Specializuar dhe ekipeve të Mbrojtjes së Bashkim Smakajt dhe Isni Kilajt.
Prokuroria e Specializuar e kishte përfunduar paraqitjen e provave më 13 mars 2026.
Pas disa zhvillimeve procedurale dhe paraqitjes së provave nga palët, procedura e paraqitjes së provave ishte mbyllur më 5 gusht 2026, përcjell Telegrafi.
Ndërkaq, deklaratat përmbyllëse ishin paraqitur nga palët gjatë periudhës 10-14 shtator 2026.
Më 12 tetor 2026, Gjykatësi i Vetëm kishte caktuar 17 nëntorin 2026 si datë për shpalljen e aktgjykimit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.