Politika

Gjykatë/ Akuzoi Kryeministrin për lidhje me krimin, Avokati i Ristanit: foli në emër të partisë

Avokati mbrojtës i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanit kërkoi sot nga Gjykata e Lartë pushimin e çështjes ndaj klientit të tij, pasi deklarata e Deputetit të PD-së ishte në emër të forcës politike që përfaqëson dhe jo qendrim i tij individual.

Kërkesa e avokatit të Ristanit është bërë në Gjykatën e Lartë, gjatë seancës gjyqësore në ngarkim të ish-zv/Ministrit të Brendshëm, i cili është akuzuar nga Kryeministri i vendit për shpifje, lidhur me një deklaratë të Ristanit, që akuzonte Kryeministrin e vendit, Edi Rama për lidhje me krimin.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati i Ristanit, Ivi Kaso, e quajti të pavend kërkesën e avokatit të Kryeministrit Rama për një dëmshpërblim prej 3 milion lekësh, teksa shtoi se Ristani ka folur në emër të forcës partiake që përfaqëson dhe jo në emrin e tij personal. Trupa gjyqësore pasi mori në administrim këtë deklaratë dhe dëgjoi edhe palën akuzuese, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore, ku nuk merrte pjesë as Kreu i qeverisë dhe as Deputeti i PD-së.

Më herët Kryeministri Rama u shpreh se çështjes së shpifjeve dhe fjalëve në ajër duhet ti shkohet deri në fund, pasi nuk mund të njolloset institucioni dhe drejtuesit e Qeverisë pa fakte. Sipas Ramës qytetarët meritojnë një kryeministër të pastër dhe në rast se nuk është kështu atëherë ai është i gatshëm të jap edhe dorëheqjen.

Kryeministri Rama në Gjykatën e Lartë ka çuar edhe një çështje të dytë, që lidhet me disa deklarata të tjera të bëra nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Edhe në këtë rast, akuza është për shpfije dhe gjykata është duke shqyrtuar dosjen në fjalë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button