Gjykimi Capat–Sekiraqët, eksperti i balistikës: Nga njëra pistoletë u shkrepën 24 fishekë, në Aktash u përdorën të paktën 12 armë
Eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Fatmir Gashi, dëshmoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë se për ekzaminim ishin 85 gëzhoja dhe se në përleshjen e 1 shtatorit 2024 mund të jenë përdorur deri në 14 armë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, të hënën u dëgjua eksperti i balistikës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Fatmir Gashi, i cili deklaroi se nga pesë armët që kanë ekzaminuar, nga njëra rezultoi se janë shkrepur 24 plumba, siç raporton Betimi për Drejtësi. “Kësaj arme me gëzhojat e kalibrit të njëjtë që ka ardhë për ekzaminim ka rezultuar se nga kjo pistoletë janë shkrepur 24 fishekë”, tha eksperti Gashi.
Sipas ekspertit, objekt ekspertimi ishin pesë armë — katër pistoleta dhe një armë e gjatë — ndërsa për ekzaminim kishin 85 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Dy armë kanë qenë të gjata, të kalibrit 7.62 me 39 milimetra, ndërsa të tjerat pistoleta të kalibrave më të vogla. Për armën e përdorur nga Robert Llumnica, eksperti tha se me të janë përputhur 24 gëzhoja dhe se mund të jenë shpenzuar gati tre karikatorë, pasi një karikator zë nëntë fishekë.
Krahas armëve të ekzaminuara, nga gëzhojat e marra në vendin e ngjarjes rezultoi se janë përdorur edhe shtatë armë të tjera. “Në këtë rast së paku 12 armë janë përdorur, por mund të jenë edhe 14 armë”, tha eksperti Gashi gjatë dëshmisë së tij në sesionin e pasditës.
Në sesionin e paraditës u dëgjua dëshmitarja e mbrojtur R.D., e cila në ditën kritike punonte në lokalin “From”. Ajo tregoi se në momentin e të shtënave ishte në brendësi të lokalit së bashku me djalin e Salih Sekiraqës dhe të dashurin e saj, dhe se djali i mitur kishte bërtitur “babë a je mirë, a je mirë”. Dëshmitarja tha se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.
Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku akuzohen lidhur me vrasjen e Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 12 shkurt 2026. Sipas aktakuzës, motivi i sulmit lidhet me konfliktin e mëhershëm të 4 marsit 2024 mes Shkumbin Sekiraqës dhe Pajtim Gashit. Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe me vendim të formës së prerë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.