Valë ndryshimesh në Policinë e Kosovës, rreth 20 drejtues pritet të preken nga riorganizimi pas dorëheqjes së Hoxhës
Sipas burimeve të Nacionales dhe Indeksonline, ndryshimet prekin zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Hetimet, Inteligjencën, Kundërterrorizmin dhe drejtoritë rajonale, vetëm tri ditë pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm Gazmend Hoxha.
Një valë e gjerë ndryshimesh pritet ta përfshijë Policinë e Kosovës. Siç njofton Gazeta Nacionale, nga burime brenda Policisë, rreth 20 zyrtarë të lartë do të preken nga largimet prej pozitave aktuale, transferimet dhe emërimet e reja, në një nga riorganizimet më të mëdha të viteve të fundit në këtë institucion. Edhe burime të Indeksonline bëjnë të ditur se është vendosur të ketë ndryshime drastike në një pjesë të madhe të stafit menaxhues.
Sipas Nacionales, ndryshimet prekin pothuajse të gjitha strukturat më të rëndësishme: nivelin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Departamentin e Hetimeve, Inteligjencën, Kundërterrorizmin, Burimet Njerëzore, Shërbimet Mbështetëse dhe drejtoritë rajonale. Në mesin e emrave që pritet të preken janë Taibe Canolli-Brajshori, Agron Rukiqi, Luan Keka, Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci, Fatos Makolli, Gëzim Dibrani, Kamer Jonuzaj dhe Fatmir Bajrami.
Një prej lëvizjeve më të rëndësishme, sipas burimeve të Nacionales, pritet të jetë emërimi i koloneles Taibe Canolli-Brajshori, aktualisht drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore, në pozitën e zëvendësdrejtores së përgjithshme. Në vend të saj pritet të emërohet kolonel Agron Rukiqi, drejtor i Policisë Rajonale në Gjilan, ndërsa në Gjilan pritet të shkojë Luan Keka, drejtori shumëvjeçar i Kundërterrorizmit.
Ndryshime priten edhe në Inteligjencë e Hetime: Fatmir Bajrami pritet të transferohet në Departamentin e Inteligjencës dhe Analizës, Kamer Jonuzaj në krye të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, Agron Nezaj pritet të largohet nga drejtimi i Departamentit të Hetimeve, ndërsa kolonelja Afërdita Mikullovci pritet të largohet nga drejtimi i Policisë Rajonale të Mitrovicës së Jugut dhe të transferohet në strukturat e Trafikut Rrugor. Sipas raportimeve, Veton Elshani, deri më tani zëvendëskomandant për Rajonin e Veriut, merr drejtimin e Departamentit Kufitar.
Riorganizimi vjen në një moment të ndjeshëm: pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, Inspektorati Policor i Kosovës konstatoi se një urdhër mbrojtës i 7 shtatorit nuk ishte dokumentuar i ekzekutuar, ndërsa një tjetër, i 16 tetorit, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë. Më 29 tetor u suspenduan 11 zyrtarë policorë, ndërsa një ditë më vonë drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha dha dorëheqje, të cilën e cilësoi akt moral e institucional; ushtrues detyre u caktua Fehmi Hoti. Sipas Indeksonline, dhjetëra ndryshime tashmë janë kumtuar dhe pritet të zyrtarizohen së shpejti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.