Gomone me 812 kg hashash drejt Italisë, dy në pranga
Pas një operacioni të përbashkët të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, në orët e para të mëngjesit është goditur një tjetër rast përpjekjeje për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Nga ana e shërbimeve të Drejtorisë vendore të Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë vendore të Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme në kufirin blu, në afërsi të Orikumit, është identifikuar dhe sekuestruar një mjet lundrimi i tipit gomone me dy motora.
Ndërkohë, nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim.
Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e Repartit Special “Delta” dhe të Njësisë së Guardia di Financa në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Financa të Barit.
Rreth orës 02.10, shërbimet e Guardia di Financa, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojnë dhe të ndalojnë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.
U sekuestrua një sasi mariuanë prej rreth 812 kg, e ndarë në 30 pako, dhe në pranga u vunë shtetasit D. A. dhe A. B. 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës.
Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për dokumentimin e plotë veprimtarisë kriminale të personave të arrestuar.