Grabitja e parave: Ushtria merr në mbrojtje Aeroportin Kombëtar të Rinasit
Ushtria merr në dorë sigurinë e aeroportit të Rinasit. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi sot pasdite se Forcat e Armatosura do të vendosen në aeroportin Kombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Konkretisht, efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura do të jenë në perimetrin e sigurisë. Ky vendim vjen një ditë pas grabitjes së 10 milionë eurove brenda aeroportit, nga një avion gati në nisje. Nga përplasja me armë e grabitësve dhe policisë humbi jetën një person në kërkim për grabitje tjetër në të kaluarën Admir Murataj.
Sot ministrja Xhaçka, ashtu si pjesa tjetër e qeverisë bëri përgjegjës koncesionarin kinez dhe tha se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më duke kujtuar dhe rastet e tjera në të kaluarën.
Sipas saj, mekanizmat e sigurisë kanë dështuar tërësisht.
Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil”, deklaroi Xhaçka.
Ajo theksoi se do ketë përgjegjësi penale. “Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shume e rende e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete. Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.
Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aerportit ‘Nënë Tereza’ të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.
Xhaçka tha se kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit. Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët, që siguria e tyre është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka për ta garantuar atë”, u shpreh Xhaçka.