Gratë e të tjerëve: Dashuritë fatale në letërsinë e Dritëro Agollit
Personazhet femra jobesnike të letërsisë / Femra që iu dhanë pasionit duke thyer kodet e moralit … Historitë e tradhtive më të mëdha në letërsi, që do të ktheheshin në promotorët e parë të rolit të gruas në shoqëri, duke thyer mentalitete për të krijuar botëkuptime të reja … Ana Karenina, zonja Bovari, Margarita, Ester Prini apo Donika e Dritëro Agollit, vijnë në një rrëfim më të thellë në revistën letrare “Saras”, e cila këtë numër i ka dhënë hapësirë zërit të tyre …
Ishte Helena (Homeri, Iliada) ajo që e tradhtoi Menelaun. Gruaja që shpesh është e trishtë, me gjithë mëdyshjet që ka ndaj Paridit, hidhet në krahët e tij. Prej vitesh kritika botërore përpiqet të shohë përtej këtij veprimi të një prej personazheve më të hershme të letërsisë greke. A duhet Helena të tradhtonte të shoqin me Paridin? Në vitet nëntëqind, një tjetër grua, zonja Shatërlej, e martuar me një burrë të pasur, kalon orë të gjata dashurie në fshehtësi me një djalosh simpatik. Franceska Da Rimini është tradhtarja më e madhe e letërsisë italiane. Në këngën e pestë të Ferrit, ajo kapet mat nga i shoqi teksa takonte të dashurin Paolo dhe vriten. Në Rusi, Ana Karenina vazhdon të na trishtojë sot me fundin e saj, ashtu si zonja Bovari vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi raportin e dëshirës me moralin. Është e gjatë lista e femrave “tradhtare” në letërsi. Mijëra libra kanë treguar anën e fshehtë të raporteve njerëzore, të ngritura shpesh mbi kode dhe kufij që gjithnjë janë shkelur. Më shumë se “tradhtare” këto personazhe kanë qenë modele ndërgjegjësimi për shoqëritë ku të drejtat e gruas ishin pothuajse të mohuara, duke u kthyer në promotore të lëvizjeve që më vonë do të quheshin feministe dhe do të sillnin më zhvillim. Këto personazhe thellësisht të trishta në jetët e tyre, janë mënyra për të treguar se letërsia ka qenë gjithnjë në pararojë të emancipimit të jetës dhe askush më mirë se ajo nuk ka depërtuar mureve të vërteta brenda njeriut. Numrin e saj të 11 revista letrare “Saras” ua kushton këtyre personazheve, duke bërë një udhëtim në galerinë e madhe të letërsisë botërore, për t’u ndalur më pas te letërsia shqipe, ku dhjetëra histori të tilla gjenden në rrëfimet e Dritëro Agollit shkruar që pas viteve 1960. Nuk mungon në këtë numër as kritika apo proza dhe poezia e zgjedhur.
“Unë shkova në dhomën time, ndërsa veterineri me Donikën në të tyren. Ndeza një cigare dhe u mbështeta në prag të dritares. Hëna binte në dysheme dhe era lëkundte misrin e njomë. Pastaj e mbylla dritaren për të mos u futur mushkonjat dhe u shtriva në krevatin e butë. Nëpër murin e dhomës dëgjoja zërin e trashë të veterinerit, që ndofta e qortonte Donikën, e cila i përgjigjej atij rrallë, gjë që e zemëronte më shumë burrin. Kaluan njëzet minuta dhe dhoma përtej murit ra në qetësi. Unë, me sy të mbyllur përfytyroja Donikën me rrobën e brendshme prej mëndafshi të hollë me gjithë gjoksin dhe gjysmën e shpinës lakuriqe, me flokët e zezë të rëna mbi jastëk, që ia gudulisnin hundën e majme veterinerit. O sa torturë është të flesh pranë një gruaje të tillë, i ndarë nga një mur i ngushtë, nën të njëjtën çati! O sa torturë është kur ia dëgjon dhe zërin e ëmbël nga krevati i saj përtej tullave të gëlqeres së murit…”. Këto rreshta janë shkëputur nga tregimi “Kur dashuroja një grua” shkruar nga Dritëro Agolli në vitin 1963. Është historia e një reporteri të ri, i cili ngarkohet me detyrë të shkruajë një reportazh mbi punën në bujqësi, ku njeh gruan e mikut të tij veteriner, Donikën. Gjithë kulla e lumturisë që ai kishte përfytyruar për familjen e mikut, bie sapo sheh sytë e Donikës. “Ndonjëherë shkëlqimi i jashtëm të gënjen”, shkruan Agolli. Orë torturuese do të përjetonte gazetari i ri në ditët e qëndrimit në shtëpinë e tyre në fshat. Në historinë e letrave shqipe Donika, kjo femër të cilën shkrimtari e përshkruan më shumë përmes botës së saj të brendshme është sfiduese për kohën. Ajo mbart brenda një modernitet në mendime, krejt të pazakontë për të mos thënë të patolerueshëm për ambientin ku jeton. “Ecte drejt nesh ngadalë, duke lëkundur fundin e gjerë, ecte pa ndrojtje plot ndjenja, si ato gra që i besojnë bukurisë së tyre”, shkruan Agolli. Dhe pse vinte nga një shkollë ruse, modeli që ai zgjedh për personazhin e tij kryesor është krejt ndryshe nga ajo çfarë do bënte një grua në këtë letërsi. Ai e bën Donikën të guximshme t’i besojë ndjenjës së saj, e të tërheqë një ditë pas vetes derën e shtëpisë dhe të marrë autobusin për në qytet për të kërkuar gazetarin. Ajo e takon atë, duke ia shprehur hapur ndjenjat e saj, dhe duke i thënë se ai duhej të përballej me frikën ashtu siç bëri ajo. Tregimi përfundon me një luftë të gjatë me ndërgjegjen e gazetarit, i cili më në fund vendos të lejë pas opinionin dhe të shkojë ta kërkojë atë, të kapërcente pragun e apartamentit ku ajo po qëndronte dhe të ndiente vlagën e buzëve të saj. Donika është më shumë se një personazh në letrat shqipe. Dhe pse jeta e saj është vetëm në disa faqe, pasi ajo jeton në një tregim, ajo është gruaja që sfidon duke marrë mbi supe gjithë çmimin e mëkatit. Ka disa gra si Donika në letërsinë e shkruar nga Agolli. Gra, që për një arsye a një tjetër i janë dhënë tundimit, duke i besuar atij. Në përmbledhjen me tregime “Zhurmat e erërave të dikurshme” ti mund të takosh disa të tilla. Burra që torturohen nga mendime të ëmbla për gra që u takojnë të tjerëve. I tillë është dhe mendimi për Sanien, te tregimi “Ajo që…”. Sërish personazhi kryesor është një gazetar, i cili një ditë i dhuron librin “Zonja Bovari” gruas së xhaxhait të tij, Sanies…, i cili do të ndryshonte përgjithmonë jetën e gruas. “Një vajzë në kabinën time”, tregon historinë e një shoferi që bie në dashuri me Margaritën, një vajzë të fejuar. Është interesante këndvështrimi që Agolli ka pasur për dashurinë, duke e gjetur atë gjithnjë brenda apartamenteve në dukje plot shkëlqim, për të nxjerrë prej andej silueta femrash krejtësisht të trishtuara. Ai ka zbuluar botën e tyre, duke u grishur ngadalë ndjesi që për shkak të rrethanave u ishin nënshtruar rregullave. Moralin e vërtetë të një shoqërie, Agolli e ka shpjeguar herët në letërsinë që shkroi, duke na lënë sot një galeri personazhesh nga të cilat kemi shumë për të mësuar. Një shoqëri ku liria individuale dhe seksuale ishte e ndaluar (siç ishte gjatë diktaturës), nuk mund të kishte vetëm martesa të lumtura. Sa e sa femra iu nënshtruan në heshtje fatit. Agolli u ka dhënë krah këtyre femrave, i bindur se mund t’u jepte jetën që ato donin të paktën në letërsi.