Rajoni

Greqi, deportime xhihadistësh nga kampet e refugjatëve

Pas “Deutsche Welle”-s, edhe britanikja “Times” pretendon se terroristët e ISIS-it kanë qenë të infiltruar në kampin e refugjatëve në Moria, e Greqia ka deportuar disa dhjetëra prej tyre.
Sipas gazetës, Athina ka ndërmarrë masa urgjente për të ndaluar ekstremistët islamikë që kanë depërtuar në këtë kamp dhe përpiqen të bindin shumë prej refugjatëve t’i bashkohen Shtetit Islamik.

“Kushtet e mjerueshme që mbizotërojnë aty, për të cilat shpeshherë janë kritikuar organet greke, si dhe ato europiane që nuk japin ndihmën e tyre, mund të jenë një terren pjellor për radikalizmin”, nënvizon gazeta, që i referohet një burimi anonim të policisë greke.

I pyetur për këto publikime, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Rendit ka pohuar për Top Channel se Greqia ndodhet gjithnjë në gatishmëri të lartë, bashkë me EUROPOL-in, shërbimet informative ndërkombëtare dhe mekanizma të tjerë, që kryejnë kontrolle për të dyshuarit, sidomos pas sulmeve terroriste në Paris e Bruksel.

Sipas “Times”, të paktën 120 të dyshuar si pjesëtarë të ISIS-it në radhët e refugjatëve janë kapur dhe deportuar menjëherë.

Me rreth 55 qendra për refugjatë në të gjithë vendin, duke përfshirë 5 në ishujt e Egjeut, rreth 60 mijë emigrantë ndodhen të bllokuar në Greqi prej vitit 2015, kur vendet europiane mbyllën kufijtë e tyre dhe të ashtuquajturin “Korridor ballkanik”.

Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, 924 refugjatë në Moria janë arrestuar për trafik droge dhe falsifikim pasaportash. Vjet, një grup ekspertësh britanikë zbuluan një grup që shiste pasaporta për në Angli, ndërsa disa ditë më parë, edhe dy shtetas shqiptarë u arrestuan me disa qindra karta identiteti dhe viza gjermane, që do të shiteshin për shuma të mëdha te refugjatët e izoluar në ishujt grekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button