Greqi, jep dorëheqjen dhe zv. Ministrja e Financave
Me një letër drejtuar kryeministrit Tsipras ministrja plotësuese e Financave Nadia Valavani ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj. Është e pamundur të vazhdoj të jem pjesë e qeverisë, shkruan ajo, ndërsa nuk sqaron nëse do të votojë apo jo masat në Parlament në mbrëmjen e sotme dhe nëse do të japë dorëheqjen edhe si deputete e grupit parlamentar të Syrizës.
Valavani, një prej bashkëpunëtorëve të ish-ministrit të Financave Varoufakis kundërshton marrëveshjen që ka sjellë kryeministri Tsipras duke thënë se ky “kapitullim”, është kaq i madh sa nuk do të na lejojë ripozicionimin e forcave dhe se përkeqësimi i gjendjes, me firmën tonë, përbën një “gur varri”, për shumë vite. Më herët edhe ministri i Energjisë dhe kreu i kahut marksist brenda Radikalëve të Majtë, Panajotis Lafazanis ka deklaruar se nuk do të votojë reformat që ka sjellë qeveria në Parlament për miratim.
Zhvillimet e fundit tregojnë se seanca e votimit në Parlamentin e sotëm do të shkaktojë edhe tronditje të tjera në gjirin e Partisë qeveritare duke transformuar skenën politike në ditët e ardhshme.
Gjithësesi siç ka theksuar kryeministri Tsipras, prioriteti është që të aprovohen masat me shumicë votash nga Parlamenti dhe kjo konsiderohet e sigurtë pasi do i votojë dhe opozita dhe Greqia të marrë menjëherë ndihmën financiare duke shmangur falimentimin.
Për më pas edhe ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një riformatimi të qeverisë apo të zgjedhjeve të reja.