Greqi, Pavlopoulos viziton ishullin e Mytilinit; dëshmitar i zbarkimit të emigrantëve
Situata alarmante në ishullin e Mytilinit ka dërguar në zonë edhe Presidentin e Greqisë, Prokopis Pavlopoulos. Presidenti grek pa nga afër situatën tragjike, e cila – sipas tij, – i ngjan një krize humanitare.
I gjendur në zonën e zbarkimit të mijëra emigrantëve çdo ditë, në Skala Mytilinis, ku u takua me banorë të zonës për t’i falenderuar ata për ndihmën që japin me trajtimin emigrantëve, por edhe për pjesëmarrjen e tyre në operacionet e shpëtimit, Presidenti grek u bë dëshmitar i zbarkimit të një grupi emigrantësh.
Presidenti grek deklaroi se situata është alarmante. Falë përkushtimit të forcave greke të ruajtjes së kufirit, por edhe banorëve të zonës, në këtë pjesë të Egjeut bëhet e mundur shpëtimi i qindra vetëve çdo ditë.
Pavlopoulos tha se Greqia do të vazhdojë t’i ndihmojë emigrantët, pasi – siç tha ai, – grekët janë njerëz humanë dhe nuk do t’i braktisin ata në këto momente të vështira, edhe pse vendi po kalon një krizë të vështirë ekonomike.
Jashtë kritikave të tij nuk mbeti as konflikti në Siri, për të cilin Pavlopoulos i bëri thirrje Bashkimit Europian dhe fuqive të mëdha të shikojnë mundësinë e ndërhyrjes për ndalimin e tij, pasi sipas Pavlopoulos, situata është tepër e vështirë dhe zona po shkatërrohet.
“Nuk mund të mos reagojmë, – tha ai, – përballë konfliktit në Siri. Mijëra njerëz vdesin çdo muaj atje, zona të tëra janë shkatërruar dhe miliona njerëz janë larguar nga vatrat e tyre. Kjo situatë nuk mund të vazhdohet më gjatë, pasi tashmë problemet janë shtuar ndjeshëm dhe mekanizmat e BE-së dhe vendeve perëndimore nuk mund të përballojnë më këtë situatë. Por edhe dërgimi i emigrantëve në vendet perëndimore nuk është zgjidhje – tha ai, – pasi kapacitetet e Europës po tejkalohen”.