Rajoni

Greqi, reagime të ashpra për shfaqjen teatrale bazuar në librin e terroristit Sava Ksiros

Një shfaqje teatrale e bazuar në librin e terroristit dhe ekzekutorit të organizatës 17 Nëntori, Savas Ksiros, ka krijuar reagime të ashpra në Athinë.

Ka qenë Ambasada Amerikane që me tone të ashpra ka kritikuar vendimin e teatrit kombëtar grek për të vënë në skenë shfaqjen “Ekuilibri i Nas”, bazuar në rrëfimet dhe biomat e kryeterroristit Savas Ksiros.

Nëpërmjet një komunikimi në Twitter, ambasadori amerikan në Athinë, Deivid Pirs, ka shprehur kundërshtimin e palës amerikane për financimin e kësaj shfaqje prej fondeve publike.

Më herët ka qenë kreu i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka kërkuar ndalimin e shfaqjes, e cila, sipas tij, përdhos kujtimin e dhjetra viktimave të ekzekutuara prej organizatës famëkeqe terroriste gjatë 35 viteve të ekzistencës së saj.

Libri “Ekuilibri i Nas”, me autor terroristin Savas Ksiros, bazohet në rrëfimin e tij lidhur me aksionet e organizatës ndër vite. Autori mbron ekzekutimet e viktimave, duke hedhur versionin e tij për arsyet e ekzekutimeve, duke shtrembëruar kështu të vërtetën e cila u faktua në gjyqin e organizatës, e cila vendosi dënime shumë të ashpra për terroristët, thonë kritikët e kësaj shfaqjeje.

Por shfaqja ka edhe mbështetësit e saj. Shumë njerëz të artit i janë bashkuar producentëve të saj, duke mbrojtur të drejtën e kujtdo të bëjë art, edhe nëse ai është terrorist i dënuar me burgim të përjetshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button