GREQI – Zjarri shkatërrues pranë Athinës, arrestohen kryebashkiaku dhe një sipërmarrës
ATHINË, 7 gusht /ATSH -DOA/ – Drejtësia greke vendosi të premten masën e paraburgimit për kryebashkiakun e një qyteti në rajonin perëndimor të Athinës, i akuzuar se mban përgjegjësi për zjarrin pyjor që javën e kaluar shkatërroi mbi 11 mijë hektarë tokë.
Përveç zyrtarit vendor, i cili është edhe pronar i një kompanie të instalimeve elektrike të lidhur me një park me erë në zonën e prekur, në paraburgim u la edhe një sipërmarrës i përfshirë në hetim, njoftoi televizioni publik grek ERT News.
Pas një marrjeje në pyetje maratonë, që nisi të mërkurën në mëngjes dhe përfundoi në orët e para të së premtes, prokuroria dhe gjyqtari hetues vendosën arrestimin e përkohshëm të dy të dyshuarve.
Ata akuzohen për veprat penale të “vënies së qëllimshme të zjarrit në pyll” dhe “dëmtimit të infrastrukturës me rëndësi publike”, akuza për të cilat rrezikojnë dënime me më shumë se 10 vjet burg.
Sipas të dhënave të para të hetimit, zjarri shpërtheu të premten e kaluar në perëndim të Athinës, pasi një shkëndijë nga kabllot elektrike të menaxhuara nga një kompani private në Agios Vassilios, një fshat bregdetar në rrëzë të një mali, rreth 85 kilometra në veriperëndim të Athinës, ndezi flakët.
Banorët e zonës, përfshirë edhe në rrjetet sociale, pretendojnë se kabllot i përkisnin një parku me erë të ndërtuar aty prej më shumë se dhjetë vitesh.
Në kohën e ndërtimit, disa banorë kishin kundërshtuar projektin dhe kishin ngritur padi në gjykatë, por pa sukses.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.