Rajoni

Greqia kërcënohet me pezullim nga zona Schengen

Shtetet anëtare të BE-së i kanë dhënë Greqisë një ultimatum se, nëse deri në samitin e ardhshëm të 17-18 dhjetorit nuk zbaton një sërë masash, për të cilat ka rënë dakord tetorin e kaluar për sa i përket krizës së refugjatëve, atëherë do të pezullohet nga Traktati i Schengenit.

Greqia akuzohet nga partnerët se, në të nuk po funksionojnë pikat “hotspot” të regjistrimit dhe identifikimit të refugjatëve në ishullin e Lesbosit, ajo ka refuzuar misionin e dërgimit të 400 vetëve në forcën e ruajtjes së kufijve europianë “Frontex” dhe përdorimin e grupeve të ndërhyrjes së shpejtë të kësaj trupe, nuk ka dërguar ende 300 aparate për identifikimin e shenjave të gishtave dhe nuk po përmbush premtimin e saj për të bërë fluturime, që transportojnë refugjatët në vendet e tjera europiane.

“Greqia, thembra e Akilit të zonës Schengen” apo “Greqia kërcënohet me pezullim nga Schengeni për shkak të reagimit të saj ndaj emigrantëve” janë disa nga titujt e artikujve në mediat e huaja, të cilat vijnë menjëherë pas deklaratës së kryeministrit sllovak, Robert Fico, sipas të cilit dalja e Greqisë nga zona Schengen do të ndalonte fluksin e madh të emigrantëve drejt Europës.

Problemet për të cilat kërcënohet Greqia, i përforcon edhe fakti i përqëndrimit të mbi 3000 emigrantëve nga Maroku, Bangladeshi, Irani, Sudani, Algjeria dhe Pakistani në pikën kufitare me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, që kërkojnë me çdo kusht të hapen kufijtë.

“Unë nuk do të kthehem kurrë në vendin tim. Do të shkoj rreth e rrotull, ose do të qëndroj deri sa të gjej rrugë të tjera të tërthorta, as që flitet të kthehem. Ka njeri që do të kthehet? (shënim: emigrantët përgjigjen të gjithë ‘Jo’). E shikoni që askush nuk do të kthehet”, tha një emigrant nga Maroku.

Kritikat ndaj Athinës kanë të bëjnë me faktin se, duke mos zbatuar masat e propozuara nga europianët, ka hapur dyert dhe pranon çdo lloj emigranti, ndërsa duhet të pranojë dhe ndihmojë sipas marrëveshjes me shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor, duke i regjistruar, vetëm refugjatët që vijnë nga zonat e luftës si Siria, Iraku dhe Afganistani.

Orët e fundit, sipas deklaratave të ministrit për Emigracionin, Janis Mouzalas, thuhet se këta mijëra emigrantë në kufirin greko-maqedonas, të cilët sipas seleksionimit që po bëjnë shtetet e BE-së konsiderohen si emigrantë ekonomikë dhe nuk lejohen të shkojnë në Europë, do të çohen në qendrat e pritjes në Athinë, një veprim që mund të shkaktojë konfrontime me forcat policore, pasi asnjëri prej tyre nuk do që të qëndrojë në Greqi e më pas të riatdhesohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button