Greqia, nga sot më e shtrenjtë. Rritet TVSH-ja për produktet e shërbimet
Greqia, nga sot, është një vend më i shtrenjtë. Rritja e taksave hyri në fuqi, por ekspertët nuk janë të bindur se lëvizja e shumëdiskutuar do t’i sjellë vërtet të ardhurat aq të nevojitura.
Shakaja më e fundit për krizën që qarkullon në Greqi është kjo: “Kosta blen një pako makarona në supermarket dhe arkëtarja bën pyetjen rutinë: doni t’jua mbështjellë si dhuratë? Dhe përgjigjia është: jo, faleminderit. E kam për vete”.
Të ruash humorin në kohë të vështira është padyshim një ide e mirë. Por do të jetë e vështirë për grekët të vazhdojnë të qeshin edhe pasi jeta e përditshme t’u shtrenjtohet ndjeshëm, shkruajnë mediat e huaja.
Mbi ushqimet si orizi, makaronat, ëmbëlsirat, sallamet, kafeja, çaji, sheqeri e produkte të tjera, TVSH-ja do të rritet deri në 23%. Rritje të saj do të ketë edhe për restorantet dhe transportin publik.
Ky ishte një nga kushtet e kreditorëve që lejoi hapjen e negociatave për një paketë të tretë ndihmash. Shpresat janë që rritja e taksave të mbushë shpejt arkat e shtetit. Thesari pret të mblidhen 54 milionë euro, kjo sigurisht nëse do të ketë një kolaps të kërkesës.
Ekspertë si profesori i ekonomisë Panagiotis Petrakis e përshkruajnë tregun grek si tepër të ndërlikuar, çka i bën shumë të vështira parashikimet.
“Rritja e taksave mund t’i japë një hov të ardhurave të shtetit brenda një periudhe të shkurter kohe, por ndërkohë rrezikon të rrisë gjasat e reçesionit në periudhën afatmesme. Asnjëra prej këtyre mundësive nuk përjashton tjetrën”, arsyeton Petrakis.
Në fakt, këto vitet e fundit, Greqia ka patur një sjellje ekonomike goxha të veçantë, ndaj edhe njohësit e situatës atje e kanë të vështirë të bëjnë profetizime.
Mbyllja e bankave është një shembull ilustrues. Frika e humbjes së të gjitha kursimeve të tyre, vazhdon Petrakis, i shtyu shumë njerëz jo të konsumonin më pak, por përkundrazi, të blinin sa më shumë që të mundeshin duke i bërë pagesat me kartë.
“E pra, në një kohë të tillë të gjitha parashikimet ekonomike do të shihnin një tkurrje të kërkesës për disa mallra të caktuara, ndërsa ndodhi krejt e kundërta”, vlerëson profesori.
Pavarësisht kthesës në qëndrimin ndaj kreditorëve, Tsipras vazhdon të ketë vlera të larta miratimi në sondazhe. Kështu, në zgjedhjet e parakohshme në shtator ose tetor, për të cilat foli ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis, kreu i ezekutivit mund të fitojë sipas anektimeve edhe një shumicë absolute.