Opinion

Greqia po shumon të panjohurat

Nga Aleksandër Çipa

Greqinë fqinje nuk e ka ndryshuar referendumi i kësaj jave. Madje në një përcaktim figurativ, referendumi mund të shprehë ndryshim aq sa një “pullë” e re në kostumin e vjetër të një zotnie të rënë nga vakti.

Procesi ndryshues i saj është i pandalshëm dhe nuk i dihet se si dhe gjer ku shkon. Është një ndryshim i themeltë, pasi ka të bëjë me monedhën dhe me bankat dhe pashmangshmërisht me krejt politikën. Më thellësisht ka të bëjë me sistemin. Ky sistem është goditur dhe po shembet frikshëm në dimensionet më të rëndësishme të tij. Ai është katandisur në një degradim dhe devijim të përhershëm. Greqia po përpëlitet qysh prej vitit 2009, kur ra si bombë lajmi për falimentimin financiar të shtetit. Koha e ndërmjetme, pra nga 2009 gjer në 2015 është një periudhë e cila as mund të klasifikohet e as të përcaktohet. Në shtetin grek është shembur sistemi fiskal dhe ka triumfuar fatalisht shmangia fiskale. Shtresa e të pasurve në shumicë, përfshi brenda tyre edhe klasën e vjetër politike, patën kohë të transferonin miliarda euro nga bankat greke dhe të sigurojnë “strehim” në filiale apo agjenci sigurimesh bankare nëpër vende të ndryshme të BE-së. Në këtë mënyrë u bënë kontributorë të shembjes së sistemit dhe sidomos të përshpejtimit të psikologjisë masive drejt një rrokullisje të frikshme. Natyrisht gjithçka kishte si “çelës” marrëdhënien e konvertuar në konflikt mes qeverisë së Athinës dhe huadhënësve të mëdhenj të BE-së, ose siç e cilësojnë tashmë me qesëndi shprehëse gjermano-eurozonën.

Greqia po hyn në një epokë të re politike, por natyrisht me destinacion të paqartë e ndoshta edhe të paditur. Greqia ka ndryshuar dhe për këtë ende nuk është krijuar dijeni kolektive. Sikundër nuk i dihet se a do të sjellë kjo përfundimisht ndryshimin e Europës së sotme dhe sipas gjasave edhe ndryshime në rajonin tonë.

Ka kohë që politikanët dhe sidomos financierët e bankierët më të shprehur të vendit tonë, po qetësojnë publikun për mosndikim e mospësim prej këtij ndryshimi shembës në sistemin e financave greke apo siç quhet në shumicë zërash, falimentim financiar i shtetit. Reagimet dhe sidomos parashikimet e këtij grupi ekspertësh vlejnë dhe natyrisht që krijojnë një qetim të domosdoshëm e të nevojshëm në tregun tonë bankar dhe sidomos në regjimin ditor të tyre.

Por kjo nuk është e gjitha. Ndryshimi tjetër, ai që nuk lidhet me tërheqjen ose jo të shumave nga bankat është më i rëndësishëm dhe më jetik për ekonominë dhe shoqërinë e sotme shqiptare që fqinjëron dhe është e ndërkallur në realitetin dhe zhvillimet që përjeton intensivisht shteti fqinj.

Për të qenë korrekt me tablonë, po sjell disa detaje-fakte. Dhe sipas Balzakut: Faktet janë gjithmonë kokëforta.

Në fundjavë unë isha në Himarë. Ishin kthyer shumë pak emigrantë për sezonin veror të pushimeve. Por disa ishin kthyer për fare dhe ky kthim jo shumë i ndjeshëm, kishte gati tri vjet që kishte nisur. I pari i rikthyer që takova, në vendlindje, është komshiu im Çili (Vasil) R., i cili kishte lënë punën në anijet e mëdha të transportit në Pire. “U riktheva, sepse mbaroi puna atje. Këtu po administroj shtëpinë dhe disa prona. Por keq është,- përfundon komshiu në shtëpinë time prindërore. Në qendër të Spilesë, një tjetër patrioti im A. Mërkuri ka çelur një lokal modest restorant. “Është punë sezonale dhe nuk mbijetojmë dot. Por frikën dhe ankthin e kam tek ato dy euro që kam kursyer kaq vite në kurbet. Nuk dimë ç’do të bëhet?! Mos pësojmë një humbje si në ‘97-n, po kësaj here me kursimet tona në Greqi?! Nuk dimë ç’do bëhet! Qenka e thënë të provohet profecia e të parëve: njeriu nuk e kapërcen xhepin e të parëve!”

Nga të dhëna periferike të grumbulluara në zonën e qarqeve Vlorë (përfshi Himarë-Sarandë-Delvinë) dhe Gjirokastër (përfshi Përmet-Tepelenë dhe krejt Rrethin e Gjirokastrës) në ankthin e pësimit financiar dhe sidomos të riskut për kursimet e veta nëpër banka janë mbi 235 mijë emigrantë shqiptarë. Shifrat natyrisht që janë tronditëse dhe edhe më të konsiderueshme, kur mendon se shumica e tyre janë rezidentë në Greqi mesatarisht prej 20 vjetësh.

Natyrisht detaje të tilla ka me mijëra në qytetet jugore të vendit, ku masa e emigrantëve është shumë herë më e ndjeshme dhe që ankthi për gjendjen në Greqi, po ndihet si frymëmbajtje edhe në tregun shqiptar. Situata në Greqi është ndjesi pezullie dhe parandjenjash mikse. Bashkëjeton ankthi me përshtypjen se “loja do të kalojë”. Të heshturit janë bërë më të shumtë dhe të ardhurit edhe më fytyrëprishur. Në Greqi ka ndodhur ndryshimi tronditës me shumë të panjohura, por në shpresat e njerëzve ende jeton përshtypja e të qenët në një periudhë kalimtare.

Mirëpo tej në horizontin e marrëdhënieve dhe ecejakeve mes zyrtarëve të Athinës dhe atyre të gjermano-eurozonës dominon mjegulla dhe zymtësia refuzuese. Në sfond të tyre duket se ekziston edhe mundësia e skicimit të relievit të ri gjeopolitik si dhe një mundësi komplekse marrëdhëniesh rajonale dhe ndërkombëtare të cilat nuk parathonë shpëtim të financave apo të ekonomisë, por paralajmërojnë mundësitë diskrete për ndryshimet e pozicioneve të Greqisë në relacionet dhe shkëmbimet gjeopolitike.

Sido që të shkojnë fijet e këtij procesi me bankomate të mbyllura, Greqia ka shkelur në truallin kohor të një periudhe të re ndryshimi. Qytetarët e vendit fqinj dhe emigrantët tanë ndër ta, kanë humbur brenda 5 vjetëve 25 për qind të të ardhurave të tyre. Ndërsa po gjatë këtyre pesë vjetëve, rreth 30 për qind e popullsisë së vendit fqinj jeton nën nivelin e varfërisë. Papunësia ka arritur rekordin e 28 për qind dhe e ardhmja e afërt është në kthetrat e rekordit negativ. Iluzionet janë shtuar, sikundër urrejtja ndaj monedhës së kontinentit është në pikun e saj. Europa është goditur tronditshëm nga ndryshimi me kaq shumë të panjohura të Greqisë. Një mallkim kolektiv gjëmon nëpër sheshet e Athinës dhe në mendjet e grekëve. Ndanë këtij mallkimi, ne fqinjët veriorë të tyre nuk jemi të shurdhër, por as kureshtarë sa duhet. Kësaj here do të duhej ta kishim kureshtjen të madhe që të mund të dinim si të ndihmonim e ndihmojmë tanët që janë aty, por nuk dihet se si do të jenë. Greqia ka ndryshuar plotësisht. Çështja për ne është se nuk dimë sa të panjohura të tjera po vijnë prej ndryshimit rrënues e pësues të saj!!!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button