Greqia proteston ndaj Turqisë për anijen kërkimore
Në një njoftim të lëshuar nga marina e Turqisë këtë javë thuhet se anija kërkimore Cesme do të kryente një studim hidrografik nga 18 shkurti deri më 2 mars në një zonë të ujërave ndërkombëtare ku të dy palët kanë interesa të mundshme.
“Është një veprim i panevojshëm i cili nuk ndihmon atmosferën pozitive,” u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë Christos Tarantilis. Ministria e jashtme ka bërë një ankesë verbale, thanë zyrtarët qeveritarë.
Ankaraja e konsideron zonën si pjesë e ujërave ndërkombëtare dhe kërkimi oqeanografik nuk ka lidhje me mosmarrëveshjen mbi shelfet kontinentale, thanë burimet diplomatike turke.
Ata thanë se anija Cesme do të kryente të njëjtin lloj sondazhi shkencor që Greqia kreu kohët e fundit në zonë, të cilat ishin të lejuara sipas një marrëveshjeje të vitit 1976 midis dy vendeve.
Zyrtarët grekë thanë se megjithëse Cesme po vepronte në ujërat ndërkombëtare, përgjegjësia për lëshimin e njoftimeve detare në atë pjesë të Egjeut i bie Greqisë.
Pas një pauze pesë-vjeçare dhe muajsh tensioni mbi pretendimet e mbivendosura për burimet e energjisë në Mesdheun Lindor dhe Egje vitin e kaluar, zyrtarët grekë dhe turq u takuan në Ankara më 25 janar për të diskutuar mbi delimitimin e zonave detare.
Takimi në Stamboll përfundoi pas disa orësh dhe të dy vendet, në mosmarrëveshje për një numër çështjesh të vjetra, përfshirë shtrirjen e shelfeve të tyre kontinentale, kanë rënë dakord të takohen përsëri në Athinë.
Athina i ka dërguar një ftesë Ankarasë duke sugjeruar që bisedimet të rifillojnë në fillim të marsit – përpara një takimi të udhëheqësve evropianë – dhe po pret një përgjigje nga Turqia, u tha gazetarëve zëdhënësi i ministrisë së jashtme Alexandros Papaioannou.
Që nga viti 2002, të dy vendet kanë zhvilluar dhjetra raunde bisedimesh në përpjekje për të hedhur bazat për negociata të plota mbi çështjen. Por pengesat mbeten.