Ekonomia

Guvernatori Sejko në mbledhjen e FMN dhe BB: Politika e BSH-së, kontribut në stabilitetin makroekonomik të vendit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat këtë vit u zhvilluan në Lima të Perusë, nga data 9-11 tetor 2015.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë ku mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore, vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se vazhdon rimëkëmbja globale, por gjithsesi aktiviteti ekonomik paraqitet modest dhe jo i barabartë mes vendeve të ndryshme; ndërkohë që pasiguria dhe volatiliteti i tregut financiar janë rritur dhe perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike është dobësuar.

Perspektivat e rritjes për vendet në zhvillim ndryshojnë nga njëra ekonomi në tjetrën, parashikimi i përgjithshëm ndikohet negativisht nga paqartësitë e lidhura me çmimet e lëndëve të para dhe kushtet globale jo të favorshme të financimit.

Rreziqet vazhdojnë të jenë të larta pavarësisht se shumë prej vendeve kanë adoptuar politika dhe masa të shumta mbrojtjeje. Kushtet e shtrënguara të financimit, ngadalësimi i hyrjeve të kapitalit, kursi i këmbimit dhe borxhet e larta valutore të sektorit privat, përbëjnë rreziqet kryesore me të cilat përballen ekonomitë në zhvillim. Në shumicën e vendeve të zhvilluara, rreziku kryesor vlerësohet të jetë ngadalësimi i mëtejshëm i rritjes. Një nga shqetësimet kryesore vazhdon të jetë niveli i lartë i borxhit.

Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë,  Gent Sejko dhe të Ministrit të Financave,  Shkëlqim Cani.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare,  si me z. MinZhu, Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, me z. Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. PoulThomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, z. Pete Dattels, Zëvendësdrejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; nga grupi i BB-së me: z. Cyrill Myller, Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Patricio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; zj. Ellen Goldstein, Drejtore Vendore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.

Gjatë këtyre takimeve, Guvernatori bëri një ekspoze të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar të vendit. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë është shoqëruar me politika stimuluese makroprudenciale për sistemin bankar, në mënyrë që të influencojë sa më shumë si në drejtim të rritjes ekonomike, ashtu edhe të stabilitetit financiar. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

Në kuadër të hapave që duhen ndërmarrë për të përshpejtuar aktivitetin e ardhshëm ekonomik të vendit, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur, nëpërmjet vazhdimit të stimulit monetar.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe planit të veprimit ndërinstitucional dhe masave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e nivelit të kreditimit dhe uljen e kredive me probleme. Guvernatori dhe përfaqësuesit e Fondit ndanë të njëjtin mendim se niveli i lartë i kredive me probleme ndikon jo vetëm në mbarëvajtjen e stabilitetit financiar, por pengon dhe mbështetjen e ekonomisë me fonde.

Prandaj dhe zgjidhja e kësaj çështjeje ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë. Në përfundim, u theksua se sistemi bankar shqiptar vlerësohet financiarisht i shëndetshëm, me një nivel të lartë kapitalizimi dhe likuiditeti.

Në takime, u diskutua dhe mbi masat e ndërmarra nga qeveria në fushën e energjisë dhe të informalitetit, ku përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së i vlerësuan pozitivisht këto reforma, si dy drejtime kryesore që do të ndikojnë pozitivisht në zbutjen e rreziqeve buxhetore.

Gjithashtu, Guvernatori Sejko pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme, mes të cilave vlen të përmendet takimi me z. Stefan Ingves, Guvernator i Bankës të Suedisë si dhe z. ErdemBasçi, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Në këto takime u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Sejko mori pjesë dhe në takimin e Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së si dhe në takimin e përbashkët të ministrave dhe guvernatorëve të vendeve anëtare të konsistuencës së FMN-së, ku bëjnë pjesë, Italia, Greqia, Portugalia, Shqipëria, Malta dhe San Marino.

Gjatë qëndrimit në Lima, me ftesë të Kryetarit të Bordit të G30, zotit Jacob Frankel (ish-Guvernator i Bankës së Izraelit) dhe të Kryetarit të G30, zotit Jean-ClaudeTrichet (ish-President i Bankës Qendrore Evropiane), Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zoti Genti Sejko, mori pjesë në Seminarin Vjetor Ndërkombëtar të Bankingut. Ky aktivitet i përvitshëm përkon me periudhën e zhvillimit të takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së, dhe synon të ndërtojë një platformë diskutimi të hapur, pa protokoll dhe në mirëbesim, mes personaliteteve më të spikatura në fushën e bankingut qendror dhe botës akademike.

Këtë vit, argumenti kryesor ishte përshpejtimi i rritjes ekonomike botërore. Për këtë argument, diskutimet u orientuan nga prezantimet e bëra nga z. StanleyFischer, Zëvendëskryetar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, nga z. HaruhikoKuroda, Guvernator i Bankës së Japonisë, nga zj. SabineLautenschläger, Anëtare e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane dhe nga z. YiGang, Zëvendësguvernator i Bankës Popullore të Kinës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button