Arte

Guximi i kuptimtë i Xhuli Kekos

“Ka ardhur momenti për botimin e kolanës së veprave të zgjedhura të Teodor Keko-s “

 Absolutisht këmbëngul të them se si sot dhe nesër, gjithmonë, i dëgjojmë zërin, fjalën e mënçur, shakanë hokatare, shohim vështrimin dhe i ndjejmë buzëqeshjen.

Nga FLORA NIKOLLA

Teodor Keko
Teodor Keko

Takojmë Dorin…!!!

Sikundër tani duke folur me Xhulin, miken , bashkëshorten, shoqen e jetës se tij, duam ta sjellim pranë nesh, Teodor Kekon, në këtë 12 vjetor të ikjes së tij. Xhuli thotë në këtë intervistë se në momente të vështira i kërkon mendim, dhe Ai gjen mënyrën t’ia japë. Thotë se ndonjëherë edhe e zhgënjen. Është në Hollandë e vjen këtu më shpresën se do ta gjejë… dhe nuk e gjen …, është këtu dhe shkon atje, e prapë nuk e gjen …!!!

dori2

Dhe pastaj mikja e tij e përhershme gjen ngushëllimin tek fakti i qënësishëm që Dori do të jetë pergjithnjë fizikisht. E bën të tillë , vepra e tij shumë vëllimëshe sa njerëzore dhe e stilizuar, si një zë më vete në letrat shqipe të pas viteve ’90- të, e bën qënia e tij e vërtetë , aspak e hijëzuar dhe e blatuar me buzëqeshje fallco aq e zakontë në kohën që jetojmë !!! Xhuli thotë se ky mendim i përforcohet nga fakti se librat e Dorit kanë një shitje shumë të qëndrueshme. “Të gjitha vëllimet e tij janë ribotuar nga kërkesat që lexuesit kanë patur si në poezi ashtu edhe në prozë”.

Për herë të parë , në këtë intervistë, Xhuli Keko, bën të ditur ribotimin e romanit “ Shënimet e një gruajë”, botuar në vitin 1995 dhe që pritet të shpërndahet në librari në fund të muajit shtator të këtij viti.

“Unë guxoj dhe guxoj sërish e sërish me librat e tij”, shprehet ajo . “ Ndihem mirë që Dori pëlqehet nga të rinjtë, brenda dhe jashtë vendit. Nga faqja e tij në rrjetin social FB , shoh se jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni ka të rinj e të reja që e njohin, lexojnë e komentojnë veprën e tij, në mënyrë të veçantë poezinë ”, thotë Xhuli.

Dhe unë kujtoj…!!!

dori3

Fillimisht në poezi ai i bënte asaj një bisedë të shkrythët dhe të lirë, por aq edhe të fshehur. Pastaj në çdo skutë të rimës së poezisë gjithsesi fitonte dashuria. Tani pas kaq vitesh, teksa lexoj poezinë dhe prozën e Teodor Keko-s, rishoh se fjala e tij nuk ka mllefe.

Në fjalën e tij të lirë dhe të drejtpërdrejtë, ka vetëm dhimbje për një shoqëri pa krye, e brejtuar nga metamorfoza.Personazhet dhe fenomenet e Tij janë reale që pasi i përjetonte i shkruante pa zbukurime dhe siç i kishte blatuar jeta. Gjithmonë dhe gjithshka e vështronte me pafajësinë e një të rrituri të mitur, sikur nuk po ndodhte asgjë, për të treguar paskësaj përmes gërmave dhe fjalëve gjithçka.

“Dori ka qenë shumë qytetar, njerëzor , i vërtetë, cilësi që jo çdokush ka fatin t’i ketë. Përpos kësaj në raport me mua dhe fëmijët, sekreti është se pavarësisht natyrës boheme të tij, qendra e botës për të, ishim ne dhe vetëm ne” tregon ajo në këtë intervistë ,duke pohuar se tashmë ka ardhur momenti i botimit te kolanës së veprave të zgjedhura të Teodor Kekos .

dori4‘Uroj të shënojë një ngjarje në botën e letërsisë pas dy vjetësh, në 60 vjetorin e tij.”, thotë Xhuli Keko, shoqja dhe mikja e jetës së Teodor Kekos. Xhuli gjithnjë i ndan pushimet e saj në gusht , me Tiranën, me miqtë e shumtë të Dorit, ndan me ta kujtimet , takohet me botuesit e tij që gjithnjë nuk ngurojnë t’i japin një Po të madhe botimit të veprës së tij .

“Gjithnjë e më shumë më forcohet mendimi se duhet ta shkruaj një libër për Dorin dhe po me të njëjtin intensitet më shtohet frika nëse mund të arrij ta tregoj Dorin në gjithë gjerësinë dhe kompleksitetin e tij”, thotë në këtë intërvistë ekskluzive për ATSH-në , Xhuli Keko, në këtë ditë me zagushi gushti, kur 12 vite të shkuara , iku me metastazat blu në gjakun e tij , pa i thënë kurrë asgjë dhe askujt, se ishte i detyruar të ikte, me fisnikërinë e të qënit njeri në jetën që kishte ditur ta jetontë në lirinë e tij bohemiane.

F.N : Tek çdo kush, ka vdekje fizike sikundër ka dhe vdekje shpirterore… Si qëndron ky raport , vdekje shpirtërore dhe vdekje fizike, kur flitet për bashkëshortin tuaj Teodor Keko … ?

dori8
Teodor Keko

Xh.K : Pa dashur të hyj në përsiatje filozofike mbi këtë temë, për më shumë sepse edhe nuk është pjesë e asaj që unë di të bëj, po të përgjigjem thjesht lidhur me atë që unë ndjej e mendoj : është ende …këtu…atje… s’ka shumë rëndësi, e rëndësishme është që unë e ndjej që është…në momente të vështira i kërkoj mendim, gjen mënyrën të ma japë….ndonjëherë edhe më zhgënjen. Jam në Hollandë e vij këtu më shpresën se do ta gjej, sigurisht që nuk e gjej…, jam këtu e shkoj atje, prapë nuk e gjej… Dhe pastaj e gjej ngushëllimin tek fakti që nuk është më vetëm fizikisht. E komplikova pak, sigurisht që pyetja juaj, konsiston në faktin që një shkrimtar apo artist mbetet nëpërmjet veprës së tij, jam dakort, por kjo është ajo që miqtë e lexuesit ndjejnë.

F.N : Nga një sondazh që bëra në disa nga libraritë e Tiranës, vura re , se veprat e Teodor Keko-s, kanë një shitje konstante …, po kështu vë re, që edhe faqja e tij në rrjetin social FB , ka nje interes dhe qëndrueshmëri ndjekje nga fansat e tij …!!! Komenti juaj …

Xh.K : Nuk jam dakort me mendimin që shpesh artikulohet se libri konkurrohet “ padrejtësisht” nga interneti, filmi, muzika, rrjetet sociale, etj etj. Natyrisht që një konkurrencë e tillë është e pashmangshme për kohët moderne që jetojmë por mendoj se një pjesë e shëndoshë e shoqërisë shqiptare e gjen kohën dhe mundësinë të blejë dhe lexojë. Personalisht kur futem në libraritë e shumta të Tiranës ndjehem si një fëmijë 5 vjeç që kërkon t’i blejë të gjitha lodrat kur hyn në një dyqan të mbushur me to. Këtë mendim ma përforcon edhe fakti se librat e Dorit kanë një shitje shumë konstante, të gjitha vëllimet me tregime janë ribotuar sepse ka pasur shumë kërkesa nga lexuesit, po ashtu përmbledhja e vëllimit me poezi. Dhe prapë unë guxoj të ribotoj, këtë herë romanin “ Shënimet e një gruajë”, i cili do të shpërndahet në librari në fund të muajit shtator apo në fillim të tetorit të këtij viti. Ajo që më “çudit” dhe më bën të ndjehem mirë është fakti që Dori pëlqehet shumë dhe nga të rinjtë, brenda dhe jashtë vendit, megjithëse ka 12 vjet që ka ikur. Nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social FB konstatoj se jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni ka shumë të rinj e të reja që e njohin, lexojnë e komentojnë veprën e tij, në mënyrë të veçantë poezinë.

F.N : Xhuli dhe Dori…,një binom i pandarë , si në qarqet shoqërore ashtu edhe letrare. Ju jeni njohur kur studionit në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë , dhe nga ai moment, keni qënë dhe jeni e lidhur me Dorin , jo vetëm si bashkëshort, por si shok, si mik dhe mbi të gjitha dhe si krijues . Rrjedhimisht jeni një nga njerëzit që e njeh Dorin më mirë se askush, mund të tregoni ku qëndron sekreti i suksesit të letërsisë së Dorit ?

dori1Xh. K : Mbase e kam thënë edhe tjetër herë, mbase shpesh e kemi diskutuar në bisedat tona lidhur me Dorin, mendoj se sekreti qëndron së pari në faktin që personazhet dhe subjektet e tij kanë gjithnjë një bazë reale, pa e egzagjeruar mund të pohoj se shumicën e personazheve i njoh personalisht, shpesh edhe “ historitë” të cilat janë bërthama e tregimeve apo romaneve . Së dyti mendoj se është thjeshtësia , pavarësisht se çdo tregim e roman i Dorit ka brenda linjë e mendim filozofik, mënyra e të rrëfyerit është e thjeshtë dhe e arritshme për të gjitha kategoritë e lexuesve. Personalisht mendoj se një shkrimtar hermetik dhe i kuadratuar, pavarësisht talentit, lojës së fjalës apo mënyrave të sofistikuara që mund të përdorë për të rrëfyer një histori, nuk mund të jetë kurrë aq i dëshiruar dhe dashuruar nga lexuesi sa një shkrimtar apo artist që përdor mënyra të thjeshta rrëfimi.

F.N : Si qëndron raporti poezi-prozë tek Dori ?

Xh.K : Në fakt e kam të vështirë të bëj kritiken letrare të veprës së bashkëshortit tim por po guxoj të them atë që unë mendoj. Thembra e Akilit të Dorit janë tregimet, poezia ka qenë gjithnjë zhanri që në një farë mënyre e ka shlodhur, ashtu si ne të gjithë dëgjojmë muzikë klasike kur duam të qetësohemi, apo shohim një komedi a film romantik. Romani e lodhte sepse e bënte të dilte jashtë mënyrës së tij të të shkruarit. Dori nuk hynte te shkrimtarët që ulen e shkruajnë përditë. Kur vinte momenti ne e ndjenim të gjithë, bëhej i heshtur, dilte gjithnjë e me pak. Shkruante gjithnjë në mëngjes nga ora pesë deri në orën tetë, mbaronte një tregim dhe më pas dilte pak ose rrinte në shtëpi me një roman në dorë apo thjesht me sytë nga tv, pa u përqëndruar totalisht në ndonjerën prej tyre. Të nesërmen përsëritej e njëjta rutinë, por pa ju kthyer asnjëherë asaj që kishte shkruar një ditë më parë. Derisa vinte një ditë që dilte dhe “ harronte” te kthehej…..kuptohet… libri kishte mbaruar….

F.N : Po sekreti i Dorit si njeri ku qëndron, e them këtë se një dashuri e pakushtëzuar e shumë njerëzve ndaj tij , vazhdon edhe sot , sikur ai të jetë së bashku me ne …

dori5Xh. K : Pyetje e bukur. Ajo që unë kam ndjerë dhe vazhdoj të ndjej është se Dori ka qenë shumë qytetar, njerëzor e i vërtetë, cilësi që jo çdokush ka fatin ti ketë. Përpos kësaj në raport me mua dhe fëmijët, sekreti qëndron në faktin se pavarësisht natyrës boheme të tij, qendra e botës për të ishim ne dhe vetëm ne.

F.N :Mendoj se në Shqipëri dhe jo vetëm, do të jetë një ngjarje në botën e letërsisë kur të botohet vepra e plotë e tij …

Xh.K : Mendoj se ka ardhur momentin për të realizuar këtë dhe uroj që të shënojë një ngjarje në botën e letërsisë. Nuk është e thjeshtë, është një iniciativë që sigurisht ka vështirësitë e saj për t’u realizuar, në mënyrë që të jetë një botim sa më dinjitoz. Megjithatë jam e vendosur, sigurisht edhe me ndihmën e miqve të tij të cilët më kanë mbështetur gjatë gjithë mungesës së Dorit, që pas dy vjetësh, në 60 vjetorin e tij, të shohë dritën e botimit kolana e veprave të zgjedhura.

F. N : Mendosi se një ditë, ju do të shkruani jetën tuaj me Teodor Keko-n ?

Xh. K : Gjithnjë e më shumë më forcohet mendimi se duhet ta shkruaj, po me të njëjtin intensitet më shtohet frika nëse mund të arrij ta tregoj Dorin në gjithë gjerësinë dhe kompleksitetin e tij. Le t’ja lemë kohës përgjigjen e saktë… !!!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button