Hakimi rekord në Binance, kompania mbulon 90% të kriptomonedhave të vjedhura me vlerë 6.3 miliardë dollarë
Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, ka arritur të mbulojë rreth 90% të aseteve me vlerë 6.3 miliardë dollarë, të cilat u vodhën gjatë një sulmi masiv kibernetik të ndodhur të enjten.
Kompania bëri të ditur se pjesa e mbetur prej 10% mund të kërkojë më shumë kohë për t’u siguruar, ndërsa përsëriti angazhimin për të kompensuar plotësisht humbjet e shkaktuara nga sulmi, që dyshohet të jetë më i madhi në historinë e kriptomonedhave.
Binance deklaroi se ka vënë në dispozicion më shumë se 6.34 miliardë dollarë nga fondet e saj për të mbuluar asetet e vjedhura, duke theksuar se përdoruesit nuk do të përballen me humbje financiare.
“Binance do të përballojë ndikimin financiar të këtyre fondeve të vjedhura, jo përdoruesit tanë”, thuhet në deklaratën e kompanisë të publikuar të shtunën.
Sipas kompanisë, asetet janë rimbushur përmes burimeve të ndryshme financiare dhe rezervave të saj korporative. Mbulimi përfshin Bitcoin, Ethereum, Tether dhe shtatë kriptomonedha të tjera të tregtueshme gjerësisht.
Prioriteti i radhës për Binance është rikthimi i shërbimeve të tërheqjes së fondeve për përdoruesit. Kompania bëri të ditur se synon të rifillojë këtë shërbim të dielën, më 1 nëntor, ndërsa premtoi të japë informacione të tjera sapo të konfirmohen detajet.
Ndërkohë, hetimet për sulmin vijojnë. Të premten, Binance njoftoi se kishte arritur të ngrinte rreth 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura, falë bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese, kompanitë e inteligjencës kibernetike dhe partnerët e sektorit privat.
Edhe Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara konfirmoi përfshirjen në operacion, duke deklaruar se po punon intensivisht me partnerët privatë për identifikimin, ngrirjen, gjurmimin dhe rikuperimin e fondeve të vjedhura.
Nëse konfirmohet përmasat e raportuara, ky sulm do të tejkalonte ndjeshëm rekordin e mëparshëm të vendosur nga grabitja e bursës së kriptomonedhave Bybit në vitin 2025, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.