Agim Baçi: PD-ja po refuzohet njësoj si qeveria, Berisha duhet të rimendojë pozicionin e tij
Analisti thotë se protesta duhet të ruajë karakterin popullor dhe të mos kthehet në protestë të opozitës, ndërsa idenë e referendumit për kandidatin për kryeministër e quan të pakuptimtë
Analisti thotë se protesta duhet të ruajë karakterin popullor dhe të mos kthehet në protestë të opozitës, ndërsa idenë e referendumit për kandidatin për kryeministër e quan të pakuptimtë
Analisti Agim Baçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, protestën e studentëve dhe qëndrimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës, i ftuar në studion e News24.
Siç njofton BalkanWeb, sipas Baçit ajo që ndodhi në bulevard, ku protestuesit kërkuan që demokratët të ishin të pranishëm, por jo deputetët e tyre, ishte një moment i trishtë për PD-në dhe një sinjal që drejtuesit e saj duhet ta lexojnë me seriozitet.
Baçi tha se është shqetësuese që refuzimi i qytetarëve ndaj opozitës po i ngjan refuzimit ndaj qeverisë, ndaj Sali Berisha duhet të rishikojë pozicionin e tij brenda Partisë Demokratike.
Ai theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin popullor dhe të mos identifikohet me opozitën, sepse ndryshe kryeministri Edi Rama do ta kishte më të lehtë ta paraqiste si një protestë të zakonshme opozitare, duke i hequr peshën që i kanë dhënë studentët dhe qytetarët. Si shembuj, analisti solli Hungarinë, ku partitë opozitare u bashkuan rreth një figure të vetme, dhe Serbinë, ku mosleximi i realitetit politik i kushtoi opozitës përfaqësimin parlamentar.
Analisti kritikoi edhe deklaratën e Berishës se, nëse opozita fiton zgjedhjet, kandidati për kryeministër do të zgjidhej me referendum. Sipas Baçit, zgjedhjet parlamentare janë vetë një votëbesim për drejtuesin e forcës politike që kërkon të qeverisë, ndaj një referendum i dytë nuk ka nevojë.
Në mbyllje, Baçi tha se opozita duhet të lërë mënjanë përplasjet e brendshme, të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të bëhet një alternativë reale për rotacionin politik, duke kuptuar zemërimin e qytetarëve ndaj gjithë klasës politike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.