☁️
Tiranë 14°C · Vranët 31 Tetor 2026
S&P 500 7,580 ▼1.82%
DOW 51,770 ▼1.09%
NASDAQ 25,437 ▼2.86%
NAFTA 104.12 ▲2.08%
ARI 3,899 ▼3.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9205 EUR/ALL 90.8112 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5371 EUR/TRY 55.7526 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5585 EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9205 EUR/ALL 90.8112 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5371 EUR/TRY 55.7526 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5585
₿ CRYPTO
BTC $77,759 ▲ +0.81% ETH $2,257 ▲ +0.73% XRP $1.2557 ▲ +0.92% SOL $96.1900 ▲ +2%
S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 104.12 ▲2.08 % ARI 3,899 ▼3.29 % S&P 500 7,580 ▼1.82 % DOW 51,770 ▼1.09 % NASDAQ 25,437 ▼2.86 % NAFTA 104.12 ▲2.08 % ARI 3,899 ▼3.29 %
EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9205 EUR/ALL 90.8112 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5371 EUR/TRY 55.7526 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5585 EUR/USD 1.1166 EUR/GBP 0.8340 EUR/CHF 0.9205 EUR/ALL 90.8112 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5371 EUR/TRY 55.7526 EUR/JPY 175.84 EUR/CAD 1.5585
31 Tet 2026
Breaking
Opinion

Edi Rama thërret në raport Sali Berishën

Fejton

Nga THOMA GELLCI

Edi Rama ishte tërbuar nga protesta e sotme në Tiranë. Kishte bërë gjithçka që qytetarët të mos dilnin në rrugë, por rezultatet ishin zhgënjyese. As gjobat, as ndalimi i hipjes në trena, as ndalimi ligjor për të emigruar, as zgjatja e mësimit deri në orën pesë pasdite nuk kishin dhënë efektin e duhur. Madje, kishte filluar të mendonte seriozisht që vitin tjetër shkollor ta zgjaste deri në orën dhjetë të mbrëmjes dhe ta bënte të shtunën ditë mësimi.

Për këtë arsye kishte thirrur një mbledhje urgjente në Kryeministri. Një nga një kishin raportuar drejtori i përgjithshëm i Policisë, komandanti i forcave speciale, ministri i Brendshëm, Demo, dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Drejtori i Policisë pranoi se kishte nënvlerësuar numrin e protestuesve. Komandanti i forcave speciale pranoi se autobotët me ujë nuk kishin punuar me kapacitet të plotë. Demo mori përgjegjësinë politike, ndërsa Kumbaro premtoi se, në protestën e ardhshme, do të organizonte provimet kombëtare pikërisht në orën e demonstratës.

Rama i dëgjoi të gjithë, u bëri vërejtjet përkatëse dhe i përcolli.

Pastaj sekretarja lajmëroi se kishte mbërritur Sali Berisha.

— Fute! — tha Rama dhe hodhi dosjen mbi tavolinë.

Berisha hyri me një dosje të trashë nën sqetull.

— Urdhëro, Sali. Ulu. Më thuaj çfarë ke bërë sot për të shuar protestën.

— Edi, unë kam bërë të pamundurën. Kam dërguar Flamur Nokën, Gaz Bardhin, Sali Lushën…

— Dhe çfarë rezultati patën?

— Po punojnë, Edi. Flamuri u përpoq të merrte drejtimin, Gazi u përpoq të bindte studentët se ne jemi me ta, kurse Sali Lusha…

— Sali, mos më trego përralla! — e ndërpreu Rama. — Nuk të paguaj unë që të më dërgosh Flamurin me Gazin. Ata nuk trembin më as militantët e tu. Të kam thënë njëqind herë që duhet të dalësh vetë në protestë!

— Po kam dërguar edhe Jamarbrin, edhe Argitën!

— Nuk mjaftojnë, Sali! Nuk mjaftojnë! Kam bërë sondazhe shumë serioze. Sipas specialistëve të mi, dalja jote personalisht në protestë ka efektin e njëzet zjarrfikëseve dhe dhjetë mijë policëve. Një fjalim i yti prej dy orësh shpërndan më shumë protestues sesa të gjitha forcat speciale të Republikës.

— Po unë kam mbajtur konferenca shtypi çdo ditë!

— Konferencat nuk mjaftojnë! Ti duhet të shkosh atje, të dalësh përpara studentëve dhe t’u thuash se ke ardhur të marrësh drejtimin e protestës. Madje, po të jetë nevoja, deklaro se je gati të bëhesh sërish kryeministër. Sipas llogaritjeve tona, vetëm ky njoftim do të zbrazë gjysmën e sheshit.

— Po studentët nuk më pranojnë, Edi. Më thërrasin «Berisha në burg!».

— Shumë mirë! Kjo tregon se po bëjnë pikërisht atë që duhet. Por ti nuk duhet të dorëzohesh. Duhet të shkosh çdo ditë. Nëse sot të përzënë, nesër kthehu përsëri. Nëse të thonë se protesta nuk është jotja, thuaju se ke ardhur ta shpëtosh. Nëse të thonë të largohesh, shpall veten kryetar të komitetit për organizimin e saj. Kemi tridhjetë vjet që e bëjmë këtë punë, Sali. Nuk mund të më lësh në baltë pikërisht tani!

Berisha uli kokën.

— Nuk është aq e lehtë, Edi. Studentët nuk janë si demokratët e mi. Nuk më dëgjojnë. Nuk më duan as në fotografi.

— Atëherë futu në fotografi pa i pyetur! — bërtiti Rama. — Po çfarë opozitari je ti? Të kam lënë gjithë opozitën në dorë dhe nuk je në gjendje të më prishësh një protestë!

Berisha heshti për një çast. Pastaj hapi dosjen.

— Edi, meqë jemi te detyrimet, kam edhe unë një ankesë. Policëve ua keni dhënë shpërblimin. Forcave speciale gjithashtu. Unë ende nuk kam marrë asgjë. Dhe, të them të drejtën, po bëj një punë shumë më të vështirë se ata.

Rama u ngrit në këmbë.

— Po akoma nuk je ngopur, mor Sali?! Po ti ke tridhjetë e pesë vjet që ha nga kjo punë! Të kam lënë të bësh opozitën, të mbash foltore, të dalësh në televizor çdo natë, të akuzosh kë të duash dhe të sillesh sikur do të më rrëzosh. Çfarë kërkon më shumë?

— Unë kërkoj vetëm të zbatohet marrëveshja. Për rezultate të mira parashikohet shpërblim i veçantë.

— Po ku janë rezultatet, Sali? Protestuesit vazhdojnë të dalin në rrugë. Madje, kanë filluar të bërtasin kundër nesh të dyve. Kjo është e papranueshme! Ti duhet t’i bindësh se nuk ka alternativë tjetër përveç teje. Vetëm kështu mund të vazhdojmë të qeverisim të qetë.

— Do të përpiqem, Edi. Por dua një garanci për shpërblimin.

— Shpërblimin do ta marrësh kur të përfundosh punën. Për momentin kam vendosur vetëm të mos të të heq nga detyra.

— Nga cila detyrë?

— Nga detyra e kryetarit të opozitës, mor Sali! Mos më detyro të gjej një tjetër. Mezi të kam mbajtur ty gjithë këto vite!

Berisha u ngrit, mblodhi dosjet dhe u drejtua nga dera.

— Edi, një pyetje të fundit. Po sikur protestuesit të mos largohen edhe pasi të dal unë?

Rama e vështroi i habitur.

— Atëherë, Sali, do të na duhet të marrim masa shumë më të rënda.

— Çfarë masash?

— Do të të shpallim kandidat për kryeministër.

Berisha buzëqeshi i kënaqur.

— Faleminderit, Edi! Këtë e quaj shpërblim!

— Mos u gëzo kaq shumë, Sali. Nuk është shpërblim. Është masa e fundit për shpërndarjen e protestës.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.