Haley organizon pritje për shtetet që votuan kundër rezolutës në OKB
Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, ka ftuar në një pritje përfaqësuesit e shteteve të cilët kanë votuar kundër, kanë abstenuar apo që nuk kanë marrë pjesë në votimin e AP të OKB-së për Kudsin.
WASHINGTON – Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Nikki Haley, ka ftuar në një pritje përfaqësuesit e shteteve të cilët kanë votuar kundër, kanë abstenuar apo që nuk kanë marrë pjesë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në letrën e ambasadores Haley thuhet se pritja për shtetet në fjalë do të mbahet më 3 janar ditën e mërkurë, “në shenjë falënderimi për miqësinë e treguar me SHBA-të”.
Projekt-rezoluta e titulluar “Kudsi Lindor i okupuar nga Izraeli dhe aktivitetet e tij në territoret palestineze”, e përgatitur me iniciativë të Turqisë, u miratua në AP-OKB me 128 vota pro dhe 9 kundër, pavarësisht kërcënimeve të SHBA-ve, ndërkohë që 35 shtete abstenuan, kurse 21 shtete nuk morën pjesë në votim.
Përveç SHBA-ve dhe Izraelit, kundër rezolutës për Kudsin në AP-OKB votuan edhe Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Togo dhe Palau.
Përvec kësaj, shtetet që abstenuan ishin Australia, Antigua-Barbuda, Argjentina, Ishujt e Bahamas, Benini, Butani, Bosnjë e Hercegovina, Kanadaja, Kroacia, Çekia, Dominika, Guinea Ekuatoriale, Fixhi, Haiti, Xhamajka, Letonia, Lesoto, Kameruni, Kolumbia, Kiribati, Malavi, Hungaria, Meksika, Panamaja, Paraguaji, Filipinet, Polonia, Rumania, Ruanda, Ishujt Solomon, Sudani i Jugut, Trinidad-Tobago, Tuvalu, Uganda dhe Vanuatu.
Haley gjatë fjalimit të saj në AP të OKB-së kishte reaguar ashpër dhe ka kërcënuar shtetet anëtare që të mos votojnë kundër vendimit të SHBA-ve.
“SHBA-të do të zhvendosin ambasadën e tyre në Kuds. Populli i SHBA-ve po e kërkon këtë nga ne dhe kjo është gjëja e duhur. Asnjë votim nuk do ta ndryshojë këtë por ky votim do të bëjë një ndryshim në aspektin se si amerikanët do ta shohin OKB-në dhe se si ne do t’i shohim shtetet të cilat nuk na kanë respektuar neve në OKB”, tha ajo.