HAPËSIRË – Astronomët zbulojnë një objekt të ri misterioz “ylli vrimë e zezë”
NJU JORK, 15 gusht /ATSH-AFP/ – Astronomët kanë njoftuar zbulimin e një lloji të ri objekti kozmik, të cilin e kanë quajtur “yll vrimë e zezë”.
Zbulimi mund të ndihmojë në zgjidhjen e një prej mistereve më të mëdha të zbuluara nga teleskopi hapësinor “James Webb”; origjinën e të ashtuquajturave “pika të vogla të kuqe” në universin e hershëm.
Objekti, i emërtuar “MoM-BH-1” ndodhej në univers vetëm rreth 660 milionë vjet pas Big Bengut. Ai duket si një yll me përmasa të krahasueshme me Sistemin Diellor, por lëshon një sasi energjie jashtëzakonisht të madhe, rreth 100 miliardë herë më shumë se një yll i zakonshëm.
Zbulimi u bë nga një ekip ndërkombëtar astronomësh duke përdorur teleskopin e hapësirës “James Webb Space Telescope” (JWST) dhe rezultatet janë publikuar në revistën shkencore “Nature”.
Që prej fillimit të vëzhgimeve të tij në vitin 2022, Webb ka zbuluar shumë objekte jashtëzakonisht të ndritshme dhe të kuqërremta në universin e hershëm, të cilat kanë habitur shkencëtarët.
Fillimisht, astronomët menduan se ngjyra e kuqe mund të shkaktohej nga pluhuri kozmik, njësoj si tymi që e bën qiellin të duket i kuq.
Por analizimi i dritës së objektit në gjatësi të ndryshme vale tregoi diçka të papritur, në disa prej tyre drita zhdukej.
Kjo tregonte se nuk ishte pluhuri ai që e bënte objektin të dukej i kuq, por gazi hidrogjen.
Megjithatë, mbeti pyetja kryesore: çfarë e prodhonte gjithë atë energji?
Një yll normal ushqehet nga shkrirja bërthamore në brendësi të tij, por sipas modeleve të studiuesve, kjo nuk mund të shpjegonte fuqinë e jashtëzakonshme të “MoM-BH-1”
Sipas skenarit më të mundshëm, në qendër të objektit ndodhet një vrimë e zezë supermasive, e rrethuar nga një shtresë shumë e dendur gazi.
Kjo “mbështjellje” e gazit e bën sistemin të duket nga larg si një yll gjigant.
Në këtë mënyrë, energjia nuk vjen nga një yll tradicional, por nga materiali që bie drejt vrimës së zezë dhe nxehet në mënyrë ekstreme.
Zbulimi mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për të kuptuar si u shfaqën kaq shpejt vrimat e zeza gjigante në universin e hershëm.
Ai gjithashtu mund të shpjegojë një pjesë të “pikave të vogla të kuqe” që Webb ka zbuluar.
Studiuesit besojnë se “MoM-BH-1” mund të mos jetë i vetmi objekt i këtij lloji dhe vetë emërtimi “numri 1” lë të kuptohet se mund të ketë të tjerë që presin të zbulohen.
Një nga veçoritë më të jashtëzakonshme të këtij objekti është se drita e “yllit vrimë e zezë” është aq e fuqishme sa e tejkalon shkëlqimin e galaktikës që e rrethon.
Për astronomët, kjo do të thotë se Webb mund të jetë duke parë drejtpërdrejt një fazë shumë të hershme dhe të rrallë të rritjes së vrimave të zeza.
Nëse ky model konfirmohet nga vëzhgime të tjera, “yjet vrimë e zezë” mund të bëhen një pjesë e re e historisë së formimit të universit, duke ofruar një shpjegim për mënyrën se si vrimat e zeza gjigante arritën përmasa kolosale kaq shpejt pas Big Bengut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.