Hapja e dosjeve, vijon diskutimi në komisionin e Ligjeve
Komisioni parlamentar i Ligjeve vijon të hënën shqyrtimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Projekti u prezantua një javë më parë në komision nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, në mungesë të deputetëve të opozitës.
Ministri shpjegoi se, nisma e qeverisë është e mbështetur mbi transparencën dhe synon të lejojë gjithë viktimat dhe punonjësit e Sigurimit të Shtetit të njihen me dosjet dhe informacionin e mbledhur kundër tyre.
Një komision me pesë anëtarë do të shqyrtojë kërkesat e individëve dhe institucioneve për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Autoritetet shtetërore do të informohen mbi lidhjet me Sigurimin të zyrtarëve aktualë, që synojnë të bëjnë karrierë në administratën publike.
Para prezantimit të pr/ligjit në Kuvend, deputetja Mesila Doda, e cila mbështet nismën ligjore të hapjes së dosjeve, të shoqëruar me procesin e lustracionit, tha se nuk mund ta mbështesë draftin e qeverisë, ndaj bashkë me shoqërinë civile do të ndërmarrë nismën për referendum.