Haradinaj u bën thirrje deputetëve të kthehen në seancë: Kemi edhe tri orë për Ligjin për Specialen
Ish-kryetari i Aleancës Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Haradinaj ka thënë se për miratimin e këtij ligji kanë kontribuar partitë kryesore politike dhe komunitetet joserbe, duke e cilësuar atë si ligj të përbashkët të subjekteve që e kanë votuar.
Në një konferencë për media, ai ka kritikuar ndryshimin e qëndrimeve politike, duke thënë se kjo po ndodh “nga ora në orë” dhe “nga konferenca në konferencë”.
“Me lejoni që t’ju them që kam në dorë një dokument dhe ky është ligji për Dhomat e Specializuara. Ky është ligji i Aleancës, PDK-së, VV-së dhe pakicave joserbe. Loja e tij nga ora në orë, nga konferenca në konferencë. Të gjitha temat kanë rëndësi, por nuk ka asnjë logjikë që të tallet kështu”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se ligji është votuar nga deputetë të subjekteve të ndryshme politike dhe kërkoi që ata të rikthehen në sallën e Kuvendit për ta përfunduar procesin.
“Ky ligj është i të gjithë neve që e kemi votuar. Kemi edhe tri orë, ju bëj thirrje, kthehuni në seancë”, deklaroi Haradinaj.
Thirrja e tij vjen në kohën kur Kuvendi po përballet me një situatë të tensionuar rreth votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.