Hartografia, evolucioni që shoqëroi njerëzimin
Shkencë & Histori
Kur i shkoi ndërmend për herë të parë njeriut të skiconte një hartë, e cila do t’i shërbente më pas për t’u orientuar? Nga vjen kjo fjalë, me çfarë lidhet dhe cilat ishin epokat që kaloi për t’u përsosur, derisa arriti në ato moderne e postmoderne, ku pamjet satelitore tredimensionale e saktësia mund të arrijnë edhe derën e shtëpisë tënde
Ju ka rastisur ndonjëherë të ndodheni në një vend të huaj, e ku askush nuk kujtohet t’ju japë një shpjegim? – Juve thjesht ju kanë dhënë një hartë të mirë në dorë, por që duket më se e komplikuar për një përdorues të zakonshëm, ku jepen detaje mbi rrugët e rrugicat, emrat e ndërtesave e objekteve më të rëndësishme, institucionet, mbushur plot me shenja e grafika, simbole e mbishkrime, që në fakt ta bëjnë kokën lëmsh.
Në fakt, nëpër shkolla, ne shqiptarët nuk është se jemi mësuar shumë me harta planesh urbane. Shumë më tepër njohim hartat gjeografike politike të botës, dimë se ku gjendet ky mal apo cili është kryeqyteti i një vendi të caktuar, dimë me kë kufizohet ky apo ai vend, në cilin rajon e kontinent bën pjesë etj. Por pak dimë të orientohemi me harta urbane me një mori pa fund informacionesh.
Kështu, një ditë gjithkujt do t’i duhet të përballet me harta të tilla, pavarësisht se kaosi urban në të cilin jemi zhytur na bën ta shohim këtë si një fenomen të huaj, të cilin na duhet ta ndeshim vetëm kur na duhet të udhëtojmë jashtë e kur shoqërues kemi vetëm një hartë të një qyteti që nuk e kemi shkelur kurrë më parë, e ku me të kuqe gjendet destinacioni ku do të shkojmë.
Por e dimë të paktën se e gjitha kjo lidhet me hartografinë, pra, shkencën që merret me krijimin, prodhimin e përpunimin e hartave.
Por si lindi e gjitha kjo? Kur i shkoi ndërmend për here të parë njeriut të skiconte një hartë, e cila do t’i shërbente më pas për t’u orientuar?
Nga vjen kjo fjalë, me çfarë lidhet dhe cilat ishin epokat që kaloi për t’u përsosur, derisa arriti në ato moderne e postmoderne, ku pamjet satelitore tredimensionale e saktësia mund të arrijë edhe derën e shtëpisë tënde? Këto dhe shumëçka që lidhet me to, do të trajtohen në këtë shkrim, i cili tenton të hedhë më shumë dritë rreth Hartografisë.
Hartografia dhe njerëzimi
Gjeografia, topografia, hartat e udhëtimit, atlaset, globet, hartat që përdorin automjetet, të gjitha këto për ne janë në një farë mënyre vegla të përdorimit të përditshëm. Ato përbëjnë në fakt edhe një indeks të zhvillimit njerëzor, mendimit e aftësive të tij krijuese. Por e gjitha kjo ka dashur, sigurisht, shumë kohë derisa njeriu të arrinte të skiconte vetë në letër sipërfaqen apo pjesë të sipërfaqes së tokës.
Në thelb, historia e Hartografisë është gjithashtu edhe historia e civilizimit njerëzor. Ajo pasqyron realisht atë që ne mund ta cilësojmë si “pushtimin e tokës” nga ana e njeriut.
Çfarë është një hartë?
Prejardhja e fjalës “hartë” ende nuk është mjaft e qartë. Shumica mendojnë se ajo, si shumë fjalë të tjera të cilave njerëzimi u ka dhënë pasaportë ndërkombëtare në shkencë e fusha të tjera të jetës, vjen nga greqishtja e vjetër. Emri “karaso”, që do të thotë: unë po gdhend mbi gur (apo dhe mbi metal). Në të vërtetë, njerëzimi posedon disa harta të lashta të gdhendura në gur apo dhe në argjilë. Me shumë gjasa, fjala “hartë” mund ta ketë prejardhjen nga fjala portugeze “cartas”, e cila do të thotë “letër”.
Kjo fjalë mendohet të ketë marrë rrugën më pas nga Spanja drejt Italisë dhe si pasojë e një kombinimi të mundshëm të saj me fjalën greke “chartys” ka sjellë fjalën e re latine “charta”.
Nocioni “charta” zuri vend më pas në çdo gjuhë latine. Edhe termi gjermanik për të, “Karte”, është përcjellë nga latinishtja, pasi dihet për gjuhëtarët se ajo si gjuhë ka përjetuar tri valë të ndërhyrjeve latine në leksikun e saj.
E gjithashtu, në forma të përafërta është përcjellë më pas edhe në gjuhë të tjera që nuk janë latine. Pas shek. 17-të, gjuha gjermane e zëvendëson atë me termin “landcharte”, pra hartë e vendit apo e terrenit. Si nocion, pasi jemi munduar të shpjegojmë etimologjinë e fjalës “hartë”, mund të themi se Hartografia është vizatimi apo punimi i hartave dhe planeve.
Zanafilla e hartave
Qysh nga lashtësia, njerëzit kanë provuar të vizatojnë pjesë më të theksuara gjeografike. Me vizatimet, të cilat i gdhendnin në gurë, eshtra, brinjë etj., atyre u lehtësohej orientimi gjeografik. Dokumentet më të vjetra Hartografike të mbetura janë disa pllaka argjile, të cilat datojnë që nga viti 3800 p.e.s. dhe origjinojnë nga Mesopotamia e lashtë.
Harta më e vjetër e mbetur dhe e vetmja e lashtësisë, që mendohet se shfaq botën sipas konceptit që njerëzit kishin asokohe, pra të themi, harta e rruzullit të sotëm, rrjedh nga kohët e vona të Babilonisë, rreth vitit 600 p.e.s. Ajo hartë është gjithashtu e gdhendur në argjilë. Përdorimi i hartës dhe matja e hapësirës në Egjipt zuri vend diku rreth vitit 2000 p.e.s.
Hartat në antikitet
Hartografët grekë ishin ata që përpunuan hartën shkencore përmes projekteve të para. Hartën greke për botën, për herë të parë e solli Anaksimandri. C.Ptolemeu (rreth 150 pas Krishtit) që vizatoi harta botërore, harta të pjesëve të tokës dhe vendeve të caktuara. Më e vjetra kopje e mbetur daton nga shek. 12-të. Ptolemeu me punën e madhe gjeografike zuri vend në përjetësi. Më shumë se një mijëvjeçar, sistemi i tij ishte i pazëvendësueshëm dhe edhe për shkak të shumë gabimeve, paraqet bazën e zbulimeve gjeografike deri në ditët e sotme.
Gjithsesi, 6 shekuj para Ptolemeut, Pitagora vuri re se toka është e rrumbullakët. Matematikanët dhe filozofët e shkollës së madhe të Pitagorës besohet se i njihnin fare mirë lëvizjet e tokës me anë të vëzhgimit dhe matjeve. Fatkeqësisht, kjo njohuri u la çuditërisht në harresë. Më shumë se njëmijë vjet pas Ptolemeut, asnjë shkencëtar nuk e vinte më në dyshim se toka kishte formë tjetër, përveç asaj të diskut.
Erastosteni i Krienës nxori hartën e botës antike me shkallë gjerësie e gjatësie. Ndërkohë, Hartografia romake ishte rregulluar sipas pikëpamjes praktike: harta rrugore, harta botërore në formë të rrumbullakët dhe matje të pjesëve e distancave të largëta. Tabela Peutingetike është një mbishkrim mesjetar i një harte rrugore romake e shek. 12. Për prakticitetin romak, më me rëndësi ishin rrugët, rregulli dhe ligji, sesa e vërteta se çfarë forme, madhësie apo mase kishte toka.
Mesjeta dhe kohët moderne
Në Mesjetë Hartografia njohu një periudhë të artë, si pasojë e përkushtimit e pasionit të arabëve. Shumica e hartave në manastiret e Perëndimit nuk sollën ndonjë përparim. Asokohe, dihet se Europa e krishterë ishte e dhënë plotësisht pas problemeve e idealeve të tjera. Njeriu mesjetar lidhej ngushtë pas besimit të tij.
Të gjithë shkencëtarët duhej t’i ruheshin mendimit ndryshe, që nuk ishte në përputhje me atë të përgjithshmin, pra të Kishës, në çdo pikëpamje. Çdo mendim i tyre duhej të bazohej në mësimet e kishës dhe deviacionet ndëshkoheshin.
Por megjithatë, një erë progresi po niste. Kështu filluan udhëtimet detare të shek. 15-të. Rilindja europiane, zgjimi i kulturës antike, duke ia nisur nga shek. 15-të, i dha një hov para së gjithash edhe Hartografisë, sidomos në Itali, Gjermani e Holandë.
Po ashtu, zhvillimi i makinës së shtypit nga Gutenbergu ndikoi në përhapjen e hartës. Përveç hartave detare, u botuan edhe harta të vendeve, atlase e globe. Që nga shek. 18-të, hartat u botuan, kryesisht në Francë, mbi bazën e matjeve ekzakte trigonometrike.
Aeroplanët dhe kamerat sot janë mjetet ndihmëse kryesore të Hartografisë. Matjet ajrore mundësojnë matjen e çdo pjese me një precizion, i cili vështirë se mund të tejkalohet.
Hartografia satelitore nxjerr harta 3 dimensionale (3D) të sakta në çdo metër nga informacione dhe pamje me anë të kompjuterit.
Përgatiti: Armand Plaka
Francezët, anglezët dhe amerikanët
Kontributet më të spikatura
Veçanërisht një kontribut të vlefshëm në Hartografinë moderne kanë dhënë gjermanët e francezët. Kështu ia vlen të përmendim emrat e Johann Baptist Homann, që jetoi në shekullin e 18-të, në Nurenberg, i cili skicoi mbi 20 harta; për francezët, Tavernier, Jacques e César Cassini, të cilët nga viti 1750 deri në vitin 1793 përfunduan “Triangulation”-in e madh të Francës dhe pas saj, apo më mirë të themi, duke u bazuar mbi të, i dhanë formën e plotë hartës topografike të Francës, duke çelur njëkohësisht edhe një epokë me imazhe të sakta topografike e përpunimin kritik të hartave.
Megjithëse Franca qëndronte asokohe në vend të parë në Hartografi, arritjet e vëllezërve Cassini nuk ishin plotësisht të mjaftueshme: u planifikua një hartë e madhe e re topografike, fletët e fundit të së cilës (përmbante rreth 267 faqe) u përfunduan vetëm nga fundi i shekullit të 19-të.
Shembullin e Francës e ndoqën më pas të gjitha shtetet europiane dhe harta e kontinentit plak dukej më se e plotësuar në të gjitha aspektet, (me përjashtim të Turqisë dhe disa pjesëve të mëdha nga Spanja, si dhe pjesës veriore të Skandinavisë e Rusisë).
Ndërsa për sa u përket vendeve aziatike, ishin Inditë Lindore (asokohe e njohur si Kompania e Indive Lindore), që nën udhëheqjen e amerikanëve arriti të krijonte harta shumë të mira e kualitative. Vetëkuptohet se këtu një punë të lavdërueshme kanë bërë ndër dekada edhe institutet më të njohura në botë për përpunimin e hartave, siç është Instituti i Gotha-s dhe ai i Lajpcigut, ai i Berlinit, Shën Petërsburgut, Londrës, Parisit etj.
Njohuri praktike
Karakteristikat e një harte të mirë
Për të pasur një hartë të mirë vlejnë disa kritere siç janë për shembull: saktësia, grafika e arrirë, kuptimshmëria dhe estetika. Le t’i marrim me radhë. Saktësia: Informacioni i hartës (për shembull forma e relievit, linjat e qarkullimit dhe tekstet) duhet të përkojnë me realitetin. Për një gjykim të saktësisë së tyre vihen në dispozicion sigurisht specialistë (inxhinierë matjesh, Hartografë e gjeografë). Grafika: Skicimi, mbishkrimi dhe dhënia e ngjyrës duhet të plotësojnë disa kushte minimale specifike mbi grafikën dhe tipografinë.
Kuptimshmëria: Me këtë nocion para së gjithash kuptohet lexueshmëria e mirë e një harte. Për të gjykuar mbi nivelin e kuptimshmërisë, specialistët e vërtetë janë vetë përdoruesit. Produktet Hartografike përmbushin si rregull të gjitha kriteret e mësipërme. Por ka raste që, për sa i përket aspektit të kuptimshmërisë, publikohen shpesh harta me nivel të dobët. Informacion i pasur, ky është një kusht për një hartë të mirë: për çdo njësi Hartografike ekziston edhe një seri informacionesh të caktuara. Nëse në një njësi apo raport 1:25 000 mund të vendoset edhe çdo ndërtesë më vete, atëherë ndërtesa duhet të përmblidhet në shkallën 1:100 000 me grupimin e ndërtesave të tjera.
Një plan i qytetit në shkallën apo raportin 1:20 000 të lejon që të vësh mbi të të gjitha emrat e rrugëve dhe rrugicave, madje edhe numrat e godinave të banimit. Në shkallën 1:100 000, përkundrazi, maksimumi mund të paraqiten vetëm emrat e rrugëve më të rëndësishme. Me nocionin specifik “i përgjithshëm”, në Hartografi kuptohet reduktimi i kuptimshëm i informacionit në raport me shkallën e hartës.
Një hartë që mund të lexohet vetëm me lente zmadhuese është një hartë e keqe. Pak informacione mbi një hartë mund të gjenden vetëm në hartat e censuruara në vendet diktatoriale, si dhe për arsye kursimi në harta shumë përgjithësuese komerciale.