Haxhiu takim me kongresistët amerikanë: NATO-ja, siguri afatgjatë për Kosovën
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të saj “mes shteteve demokratike”.
Ajo i bëri këto deklarata gjatë një takimi me dy kongresistët amerikanë, republikanin Keith Self dhe demokratin Suhas Subramanyam.
Sipas Presidencës, Haxhiu e falënderoi Selfin për mbështetjen ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik.
“Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale, por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, tha Haxhiu, sipas njoftimit për media.
Self dhe Subramanyam gjatë qëndrimit në Kosovë u takuan edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e kongresistëve vjen pasi në prill, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Në këtë rezolutë, që gëzon mbështetje dypartiake në Shtetet e Bashkuara, thuhet se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.
Kosova synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake perëndimore, por ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për anëtarësim, teksa mosnjohja nga katër shtete të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) vlerësohet pengesë drejt anëtarësimit në aleancë.
Vendi aktualisht është në proces të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, proces që pritet të zgjasë deri më 2028.
Pranimi i një anëtari në NATO kërkon mbështetje unanime, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin e Kosovës.
Self dhe Subramanyam arritën në Kosovë pasditen e 26 majit, pasi qëndruan në Luginë të Preshevës ku u takuan me zyrtarë të ndryshëm shqiptarë në jug të Serbisë.
Self tha se pasi mësuan për problemet reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, vizita në Kosovë zhvillohet për të “mësuar për pakicën serbe atje”.
“Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve në Luginë të Preshevës.
Para se të qëndronin në Luginë të Preshevës – term që përdoret për tri komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarë – kongresistët zhvilluan takime në Bosnje dhe Hercegovinë./ REL/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.