Ekonomia

HEC-et e Rulit, shteti humbi 3.4 mln usd

Shkeljet e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, me kontratat koncesionare prekin edhe sektorin energjetik.

 

Gazeta “Shqip” publikoi ankesat e investitorëve drejtuar Avokatit të Prokurimeve, ku dukeshin qartë të gjitha abuzimet e kryera me projektet koncesionare, vlera e të cilave është rreth 100 milionë dollarë. 

Në kuadër të transparencës me publikun, gazeta publikon sot pjesë nga raporti konfidencial i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i përbërë prej 50 faqesh, me emrat e kompanive, të cilat janë favorizuar nga Ruli në kohën kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë. 

Konkluzionet e KLSH-së nxjerrin në dukje se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në periudhën 2007-2009 (në shtator 2009, Ruli la detyrën), ka kryer një sërë shkeljesh të ligjit “Për koncesionet”, ndërsa janë vërejtur shumë kontrata që nuk janë respektuar si nga ministria ashtu dhe kompanitë e huaja. 

“Nga mangësitë dhe shkeljet e konstatuara në përmbushjen e detyrimeve të koncesionarit kundrejt Ministrisë së Ekonomisë dhe për mungesën e kërkesës nga ky i fundit, për të zbatuar të drejtat e detyrimet sipas kontratës, duke mos llogaritur e kërkuar për arkëtim detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i kushteve të kontratave koncesionare, në 11 raste janë shkaktuar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në vlerën 353.079.635 lekë (3.4 milionë dollarë)”, janë përfundimet e nxjerra në raportin e KLSH-së, institucioni më i lartë kushtetues që verifikon shkeljet e institucioneve. 

Për të gjitha abuzimet e kryera, KLSH ngarkon me përgjegjësi ish-drejtorin e Drejtorisë së Licencave dhe Monitorimit të Kontratave dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, si dhe disa funksionarë të tjerë, që të gjithë vartës të ministrit Ruli. 

Raporti përmban një sërë dosjesh për tenderët e kryer nga METE lidhur me projektet e hidrocentraleve të dhëna me koncesion me firmën e ish-ministrit, i cili ditët e fundit është akuzuar nga opozita si i korruptuar. 

Për disa nga shkeljet sa i takojnë punës së kryer mes ministrit dhe vartësit të tij, kryetar i AKBN-së, KLSH konstaton se nuk ka pasur një organizim si duhet për ndjekjen e monitorimin e kontratave të ndërtimit dhe vënies në punë dhe shfrytëzimin e HEC-eve të dhëna me koncesion. 

Gjithashtu, ka munguar bashkëpunimi ndërmjet METE dhe AKBN, si për plotësimin e dosjeve për çdo subjekt me dokumentacionin e nevojshëm për monitorimin dhe ndjekjen e kontratave koncesionare, si kontrata, projektzbatimi, dorëzimi i informacioneve periodike nga koncensionarët për ecurinë e ndërtimit të koncensionit, dorëzimi dhe kontrolli i kopjeve të bilancit financiar të shoqërisë koncesionare, dokumentet tatimore të përdorura, aktvrojtimet e kryera, si nga AKBN dhe në bashkëpunim me institucione të tjera si mjedisi etj.

“Mungon procesverbali tip konstatimi në objekt (HEC-e) me tregues teknikë dhe ekonomiko-ligjorë, procesverbalet e paraqitura të grupit të kontrollit të KLSH-së, janë të njëanshëm dhe pa nivel profesional, nuk paraqesin treguesit e kontratës dhe grafikut të përballura me realizimin e tyre nga koncesionari, sipas grafikut dhe kushteve të kontratës koncesionare”, janë disa mangësitë e vërejtura nga KLSH. 

Duke parë gjendjen e krijuar në HEC-e dhe mënyrën që ka ndjekur Ruli për t’i monitoruar ato sipas ligjit, kuptohet qartë pse nuk kanë pasur efekt sektori energjetik privat, i cili edhe pse ka hyrë në vitin e 4 të miratimit, nuk japin më shumë se 1 për qind prodhim ndaj totalit. 

Raporti që publikohet për herë të parë është hartuar në prill të këtij viti nisur nga kontrollet e ushtruara në METE në janar-mars 2010, për të parë punën e ministrisë me koncesionet e dhëna që pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Dëmi është shkaktuar nga mosllogaritja e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kushteve të kontratave koncesionare. 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button