HEC-et në Mirditë, Gjykata e Lezhës urdhëron Prokurorinë të hetojë për 4 hidrocentralet në Kaçinar
Gjykata e Lezhës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes penale për 4 hidrocentralet në Kaçinar të Mirditës dhe e ktheu çështjen për hetime të mëtejshme. Banorët pretendojnë se HEC-et u ndërtuan në kundërshtim me ligjin dhe u kanë dëmtuar pronat dhe burimet ujore.
Gjykata e Lezhës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për pushimin e çështjes penale nr. 1237 të vitit 2021 për 4 hidrocentralet në Kaçinar të Mirditës dhe e ktheu çështjen për hetime të mëtejshme, siç njofton Shqiptarja.com. Paditëse ishte Blerina Gjoni, përfaqësuese e banorëve të zonës, e cila kishte ankimuar mbylljen e çështjes, ndërsa Prokuroria pretendonte se nuk kishte vepër penale. Me këtë vendim, Prokuroria është e detyruar të hetojë më tej.
Banorët e Kaçinarit pretendojnë se hidrocentralet janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin dhe u kanë marrë tokën e dëmtuar burimet ujore. Sipas tyre, shoqëria “Kastrioti” në vitin 2020 ndërtoi pa leje një urë në Kaçinar, mbushi me dhera dhe inerte lumin Urakë duke devijuar rrjedhën e tij dhe duke dëmtuar kanalin e ujitjes, çka ka ulur prodhimin bujqësor. Janë prerë pemë e bimësi dhe është dëmtuar ekosistemi. Banorët kanë organizuar disa protesta dhe kërkojnë heqjen e hidrocentraleve.
Hetimet e Prokurorisë së Lezhës janë ndaj shoqërisë “Kastrioti” dhe administratorit të saj Nikoll Gjoka. Ndërtimi i 4 hidrocentraleve — aktualisht aktive, në zonën e Kaçinarit, në lumin Urakë, në Fierzë dhe në fshatin Sang — filloi në vitin 2016. Në vitin 2024, Gjykata Administrative e Apelit Durrës vendosi që lejet e ndërtimit të hidrocentraleve duhet të pezullohen.
Blerina Gjoni i tha Report TV se Prokuroria e Lezhës ende nuk i ka marrë në pyetje të gjithë banorët e Kaçinarit dhe se banorët e shohin vendimin e Gjykatës si një shans të ri për drejtësi dhe mbrojtje të mjedisit, duke shpresuar për transparencë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.