Ekspozita

Helidon Gjergji çon fasadat e Tiranës në “Pino Pascali”

Artisti shqiptar hap ekspozitë më 2 korrik në Muzeun e Arteve në Itali

fasadat e ndertesave ne TiraneÇfarë fotosh mund të përzgjedhë nga albumi i familjes Ketevan Geladze, si çaste të momenteve që nuk do donte t’i harronte? Si do të shfaqej në to, fytyra e të birit, një prej personazheve më të gjykuara të historisë? Helidon Gjergji, një emër i njohur në artin bashkëkohor u fut në psikikën e gruas (nënës së Stalinit) gati dy vjet më parë, për të hulumtuar botën tjetër, përtej një personazhi me të cilin lidhet fort historia e komunizmit”.E-Mages” quhet video instalacioni të cilin ai e prezantoi në ekspozitën personale që hapi pak kohë më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo video mbartte një histori të sajuar për nënën e ish-diktatorit Ketevan Geladze, e cila çdo ditë hidhte në murin e saj në “Facebook” foto të familjes, duke treguar kohë të bukura mes tyre. Gjergji depërton në një prej familjeve më të fuqishme ruse, pa pasur frikë nga përballja që mund të ketë me këtë personazh, duke e parë artin si një formë e cila gjithnjë ofron zgjidhje. Shoqëruar me një vals nga Shostakovitch (të orkestruar nga Andrea Rieu), fotot e publikuara nga Gelazde sjellin një imazh tjetër të njeriut që bëri aq shumë krime. Kjo video, si ‘një matrioshka (kukull) ruse hiperreale’, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur. Kjo video dhe një përzgjedhje tjetër e veprave të Gjergjit do të prezantohen më 2 korrik në ekspozitën që artisti do të hapë në Muzeun e Artit “Pino Pascali” në Itali. Është vetë muzeu që njofton hapjen e dy ekspozitave të dy artistëve të rëndësishëm të skenës së artit në SHBA, Angelo Filomeno dhe Helidon Gjergji. Bashkë me videon “E Mages” Gjergji do të prezantojë dhe instalacionin “Damask silk” si një homazh për të gjithë njerëzit që humbën jetën në det duke u përpjekur të mbërrijnë në breg. Një tjetër vepër e Gjergjit që do të prezantohet në këtë ekspozitë është dhe videoja “Fasadat” e krijuar në vitin 2000 kur kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Kryeministri Edi Rama. Ky projekt do të shënonte dhe fillimin e një periudhe të re në artin shqiptar, i cili do të kthehet në një simbol të ndryshimeve që do të pasonin ndryshime rrënjësore në konceptin e jetës së vendit. Fasadat e Tiranës nuk ishin thjesht ngjyra mbi mure, por ngjyra që u dhanë hov lëvizjeve që do të vinin më vonë, jo vetëm në kulturë, por edhe në politikë, duke zgjuar një nga kryeqytetet që për më shumë se dyzet vjet kishte jetuar diktaturën komuniste dhe arti me të cilin ishte ushqyer ishte vetëm soc-realizmi. Ky projekt ka bërë bashkë artistë si: Tomma Abts, Olafur Eliasson, Liam Gillick, Dominique Gonzalez Foerster, Tala Madani, Anri Sala dhe  Rirkrit Tiravanija. Ekspozita e Gjergjit është kuruar nga Santa Nastro. Ndërsa artisti Angelo Filomeno do të sjellë “Një homazh për Pino Paskalin, “artistin afrikan’, kuruar nga Antonio Frugis. Ekspozita sjell vepra të punuara me një teknikë të vjetër, si qëndismat apo simbolet e jetës dhe të vdekjes sipas traditës afrikane. Punët e Filomenos shkojnë krahas veprave që ndodhen në këtë muze të Pino Paskalit frymëzuar nga Afrika. Angleo Filomeno ka lindur në Ostuni dhe prej vitesh jeton në Nju Jork. Pjesëmarrës në edicionin e 52 të Bienales së Venecias veprat e tij janë pritur mirë nga kritika. “Pino Paskali”, një institucion i njohur për përzgjedhjet e tij të kujdesshme duke ruajtur imazhin e vetë artistit emrin e të cilit mban ky muze, zgjedh dy artistë që jetojnë dhe krijojnë në Nju Jork, por që kanë lindur në vende që i ndan thjesht deti mes tyre. Deti ishte frymëzimi më i madh i Pino Paskalit, i cili përmes tij do të sillte eksperimentet e një arti që do të shënojnte një periudhë të rëndësishme të artit në vendin fqinj. Helidon Gjergji ka lindur më 1970 dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë, në vitin 1994, në Akademinë e Arteve të Bukura të Napolit në vitin 1996, dhe ka një Master për Artet Pamore nga Universiteti Northwestern në Çikago, SHBA. Nga viti 2004 jeton dhe punon në Nju Jork. Punët e tij janë ekspozuar në muze të njohur të artit bashkëkohor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button