Herodoti “flet” edhe shqip
Mbërrin për lexuesin e vendit një nga kryeveprat e antikitetit
“Babai i historisë” mbërrin në Ilirinë e Poshtme
NGA FATOS BAXHAKU
Aleko Minga është një profesor i nderuar i matematikës. Sipas të gjitha gjasave, matematika dhe të gjitha degët që burojnë prej saj janë nga gjërat më të frikshme për të gjithë ne, ish-nxënës në të katër anët e vendit. Porse Profesori ka një ide tjetër. Ai, si edhe dikur ndonjë nga shokët e tij të vjetër, mendojnë se bota njerëzore dhe jo ajo e ngërthyer mes zeros dhe njëshit, është gjëja më e ndërlikuar dhe njëherazi më e bukur që ka parë ndonjëherë bota. I shtyrë nga kjo ide, Profesor Minga në këto dekadat e fundit i ka dhuruar lexuesit shqiptar, disa nga veprat më fondamentale të historisë së kulturës njerëzore. Sipas periudhave që kalonte vendi. përkthimet e tij të sakta, brilante, të shkoqura, mësimdhënëse, direkte, domethënëse herë u pritën me entuziazëm e herë të tjera me një shurdhim absurd. Këtë herë, profesori ka dashur të na rrëfejë sfidën e tij më të fundit kulturore: I ka hyrë një “aventure” të madhe, që vetëm shtati i tij i brishtë e di se si e ka mbajtur. Na ka sjellë në shqip vetë atë që Ciceroni e quante “pater historiae” (babain e historisë), vetë atë, të madhin Herodot të Halikarnasit. (Herodoti, Historitë, Botimet IDK, 609 faqe, Tiranë 2014).
Pas përkthimit të Iliadës dhe Odisesë, mund të jetë mbase shenja më me vlerë në fushë të përkthimeve nga antikiteti.
Bustet, apo ilustrimet e tjera që kemi trashëguar nga lashtësia, na tregojnë një burrë prej mermeri me sytë e zakonshëm të zgavëllyer, si të përhumbur në kohë. Si të gjithë grekët antikë kemi një kokë me flokët me rrica. Nuk është se na thotë ndonjë gjë të madhe portreti i tij me sy të zgurdulluar, porse vepra e tij po.
Herodoti kishte lindur në Haliknarnas, në Turqinë e sotme. Të gjithë janë të bindur se ka jetuar diku mes viteve 484 dhe 425 para Krishtit. Ishte pjellë e një familjeje të kombinuar mes një grekeje dhe një aziatiku. Nuk dihet përse, mbase vetëm talenti dhe çmenduria e tij mund ta shpjegojnë, që i ri u dha mbas rrëfenjave, udhëtimeve, peizazheve të reja, personazheve, dhe kështu nisi duke mbledhur rrëfenja, ëndrra, peizazhe, histori të para, por edhe të dëgjuara që të niste t’u rrëfente të tjerëve se cila ishte bota që ai kishte parë, kishte dëgjuar. Herodoti – me sa duket edhe një nga gazetarët e parë, pavarësisht se askush nuk e thotë këtë – kishte në trurin e tij jo vetëm luftën mes grekëve dhe persëve, por edhe histori të tjera, peizazhe, zakone, mënyra jetese, njerëz të zakonshëm, por që sillen çuditshëm, perëndi të rreme apo të vërteta nga krejt Mesdheu. Ishte mik i të mëdhenjve, Sofokliut dhe Perikliut.
Përse duhet ta lexojmë Herodotin, qoftë edhe tashmë në shqip? Pyetja është krejt me vend në kohën kur Wikipedia, apo rrjete të tjera sociale, virtuale, të sjellin sakaq në ekran atë çka do të dish mbi të parin e historianëve, apo edhe të gazetarëve qoftë.
Profesor Minga, me sfidën më të fundit në “aventurën” e tij kulturore mbase – themi mbase ngaqë askush deri më tash nuk e ka prishur heshtjen e tij – ka dashur të na lëshojë një mesazh tjetër. Nuk ka asgjë më me vlerë se sa përvoja e vëzhgimit, çudisë, habisë, saktësisë dhe sidomos, respektit për paraardhësit. Pa këto nuk do të kishte zhvillim të qenies njerëzore, pa këto do të kishte vetëm inat, urrejtje, dhunë, etje për para. Ja përse ia vlen të lexohet Herodoti në shqip. Faleminderit “xhaxhi Leksi” dhe shiko të mos lodhesh më kaq shumë.
“…Një herë në vit, ja çka ndodh në çdo fshat. I mbledhin të gjitha vajzat që janë në moshë për t’u martuar në atë vit, në një vend të caktuar. Burrat formojnë një rreth rrotull tyre. Një kasnec i ngre vajzat një nga një për t’i vënë në shitje. Zakonisht e nisin me vajzën më tërheqëse dhe, pastaj, kur kjo është shitur me një çmim më të mirë, nxjerrin tjetrën që, pas së parës, është më e hijshmja. Ato shiten për martesë e jo për t’u bërë skllave… Askujt nuk i lejohet të martojë vajzën e vet me një burrë që e zgjedh ai vetë, askujt nuk i lejohet të marrë vajzën pa lënë asnjë garanci. Duhet të tregosh kush bëhet garant që do të martohesh, pastaj mund ta marrësh vajzën me vete. Nëse nuk kënaqet nga bashkëshortja, rregulli e kërkon t’i kthehen paratë. Mund ta blejë kushdo, edhe nëse vjen një prej fshati tjetër. Sidoqoftë, ky ishte zakoni i tyre më i mirë. Tani nuk ekziston më dhe kanë sajuar diçka të ndryshme. Meqë pas humbjes së pavarësisë së tyre kanë rënë në mjerim dhe janë rrënuar ekonomikisht, kur është ngushtë për pare, çdo njeri i vulgut i nxjerr vajzat e veta për të prostituar…
Gjeografi ilire
…Tre lumenj të tjerë të mëdhenj – Atlasi, Aurasi dhe Tibisi – burojnë në malin Hemus dhe rrjedhin drejt Veriut para se të derdhen në Istër. Po në Istër derdhen Atri, Noeja dhe Artani, që rrjedhin përmes Thrakës dhe Krobrizit thrakas. Lumi Skio buron në malet e Rodopit në territorin peonas, rrjedh përmes vargmalit Hemus dhe pastaj bashkohet me Istrin. Lumi Angr buron në territorin ilirian dhe rrjedh drejt veriut në Rrafshinën tribalike, ku bashkohet me lumin Brong. Meqë Brongu pastaj bashkohet me Istrin, në këtë të fundit derdhen edhe ujërat e këtyre dy lumenjve të mëdhenj…
Rrënjët e Aleksandrit të Madh
Katragjyshi i Aleksandrit, në brezin e shtatë, ishte Perdika që kishte shtënë në dorë fronin e Maqedonisë në mënyrën që vijon. Nga Argosi ishin arratisur në tokën e Ilirsë tre vëllezër, pasardhës të Temenit: Gavani, Aeropi dhe Perdika. Nga Iliria, ata kaluan në Maqedoninë e Epërme dhe mbërritën në qytetin Lebea, ku u pajtuan kundrejt një pagese, në shërbim të mbretit; njëri kujdesej për kuajt, i dyti kulloste lopët, ndërsa vëllai më i vogël Perdika, ruante bagëtitë e imta. Delet dhe dhitë. Ushqimin ua gatuante vetë gruaja e mbretit (sepse qëmoti, të varfër nuk ishin vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe vetë sunduesit). Sa herë që mbretëresha piqte bukën për Perdikan, nga brumi i dilte një bukë dy herë më e madhe se zakonisht. Meqë kjo dukuri e çuditshme përsëritej vazhdimisht, më në fund mbretëresha vajti ia tregoi të shoqit. Ky me të dëgjuar fjalët e mbretëreshës mendoi se kjo do të ishte diçka hyjnore që paralajmëronte diçka të madhe…
(Herodoti, Historitë, përktheu Aleko Minga, Botimet IDK, Tiranë 2014).